“Kosova shembull i luftës kundër ekstremizmit dhe terrorizmit”
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi së bashku me ministrin e Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku dhe ambasadorin Akan Ismaili kanë takuar ndihmës sekretaren e Shtetit për Europë dhe Euro-Azi, Victoria Nuland, me të cilën kanë biseduar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe kanë marrë mbështetje për proceset e rëndësishme që po zhvillohen në Kosovë dhe rajon.
Ndihmës sekretarja Nuland ka përshëndetur krijimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve. Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Thaçi ka falënderuar qeverinë amerikane për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës, e cila ka qenë përcaktuese fillimisht në çlirimin, më pas edhe në pavarësimin e saj.
“Mora mbështetjen amerikane në jetësimin e prioriteteve tona për zhvillim ekonomik, për transformimin e Forcave të Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës, në luftën tonë të përbashkët kundër terrorizmit. Natyrisht biseduam edhe për vazhdimin e dialogut me Serbinë, si një proces i rëndësishëm në integrimin e komunitetit serb”, ka theksuar Thaçi pas takimit.Ndihmës sekretarja Nuland është ndalur veçanërisht në çështjet e sigurisë. Me këtë rast, zëvendëskryeministri Thaçi është shprehur se "Kosova është dhe do të mbetet shembull në rajon në luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit".Në takim u theksua edhe një herë se Kosova do të ketë miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të jetë përherë mirënjohëse për angazhimin dhe përkrahjen që SHBA ka treguar vazhdimisht për Kosovën. Më herët gjatë ditës, delegacioni kosovar ka pasur takime edhe në Pentagon, në Kongres dhe në Senat. Gjatë qëndrimit në Uashington, zëvendëskryeministri Thaçi do të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit me Presidentin Obama. Pas Uashingtonit, delegacioni nga Kosova do të udhëtojë për në Nju Jork, ku do të marrë pjesë në seancën e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.