Kosova shënon numrin më të madh të rasteve pozitive për këtë vit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka raportuar 828 raste të reja pozitive, duke shënuar kështu numrin më të madh të rasteve pozitive këtë vit.
Pjesa më e madhe e infeksioneve janë regjistruar në Prishtinë (361), e ndjekur nga Vushtrria (65) dhe Mitrovica (59).
Bilanci flet gjithashtu për 8 viktima, për një total prej 1744 vdekjesh. Sakaq, 744 persona e kanë mposhtur koronavirusin, ndërsa mbi 11 mijë raste janë ende aktive.
Prej regjistrimit të rasteve të para me koronavirus në Kosovë, më 13 mars të vitit të kaluar, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar mbi 80 mijë raste të infektimit.