Kosova shënon regres në përpjekjet kundër korrupsionit
Kosova është vlerësuar me 43 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025, të publikuar nga organizata ndërkombëtare Transparency International, që paraqet një rënie prej një pike krahasuar me vitin e kaluar.
Ky rezultat e rendit Kosovën në vendin e 76-të në nivel global, nga gjithsej 182 shtete dhe territore, që është tri pozita më poshtë se renditja e vitit 2024.
Sipas Transparency International, pikët e indeksit pasqyrojnë nivelin e korrupsionit të perceptuar në sektorin publik, në një shkallë nga 0, që nënkupton korrupsion ekstrem, deri në 100, që tregon mungesë të korrupsionit. Ndërkohë, renditja tregon pozitën relative të një vendi në krahasim me të tjerët.
Rezultatin më të lartë Kosova e kishte shënuar në vitin 2024, me 44 pikë dhe renditje në vendin e 73-të, pas një përmirësimi krahasuar me vitin 2023, kur ishte vlerësuar me 41 pikë. Në indeks, Kosova është përfshirë që nga viti 2012, ndërsa vlerësimin më të dobët e kishte në vitin 2013, 2014 dhe 2015, kur për tri vite radhazi kishte marrë nga 33 pikë.
Për vitin 2025, në mesin e vendeve të rajonit, Mali i Zi ka rezultuar më së miri, me 46 pikë.
Në raportin për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, Transparency International thekson se institucionet e brishta dhe stagnimi demokratik po kontribuojnë në rritjen e korrupsionit dhe në kufizimin e hapësirës për shoqërinë civile.
Sipas indeksit të këtij viti, Danimarka, Finlanda dhe Singapori kryesojnë listën e vendeve me nivelin më të ulët të korrupsionit, njësoj si vitin e kaluar. Në anën tjetër, Venezuela, Somalia dhe Sudani renditen në fund të listës.
Transparency International sqaron se të dhënat e përdorura për indeksin përfshijnë forma të ndryshme të korrupsionit në sektorin publik, si ryshfeti, keqpërdorimi i fondeve publike, përfitimet personale të zyrtarëve pa pasoja ligjore, dobësitë në parandalimin e korrupsionit, burokracia e tepruar, emërimet politike, mungesa e deklarimit të pasurisë dhe konflikteve të interesit, mbrojtja e sinjalizuesve, kapja e shtetit dhe qasja e kufizuar në informacione publike.
Megjithatë, indeksi nuk përfshin perceptimet apo përvojat personale të qytetarëve me korrupsionin, mashtrimet tatimore, rrjedhjet e paligjshme financiare, pastrimin e parave, korrupsionin në sektorin privat, si dhe ekonomitë informale.
KOHA JONË SONDAZH

