Kosova shqyrton mundësinë e mbylljes së TikTok-ut: Platforma ka dalë jashtë kontrollit
Pas Shqipërisë, edhe Kosova po shqyrton mundësinë e mbylljes së rrjetit social Tik Tok. Deputetët nga mazhoranca dhe opozita përmendën rreziqet që po vijnë nga kjo platformë, ndërsa e pranishme në mbledhje ishte edhe kryetarja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dërmaku.
”Cilat janë mundësitë tona për ta shtrënguar këtë punën e TikTokut, pasi e dini ka qenë shqetësim i jashtëzakonshëm. Ka vende të ndryshme evropiane kur kërkohet letërnjoftimi i personit në fjalë ku kërkohet të hapet llogaria. Kjo eviton mundësinë e hapjes së llogarive të fëmijëve të mitur, po flas nën moshën 16 vjeçare. Është edhe një kërkesë për me mbyllë, por ndoshta mundet me shpjegu nëse këto rrjete sociale nuk i respektojnë rregullat e vendit, cila është mundësia me mbyllë komplet?”, u shpreh deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.
Kryetarja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dërmaku tha se mbyllja e kësaj platforme sociale është kompetencë e qeverisë. ”Sa i përket Tik-Tokut, kemi krijuar marrëdhënie bilaterale me ta. Kemi rritur moshën, politikat e privatësisë. Ta keni parasysh se te çështjet e platformave sociale në Kosovë, te problemi bazik është mungesa e domenit të Kosovës, domen zyrtar. Kemi shumë përdorues që operojnë në Kosovë por operojnë edhe jashtë në vende të tjera. Ne flasim si shtet me ndalu apo mos me ndalu kjo nuk është në kompetencat e Agjencisë, por duhet të vendosë shteti”.