Kosova shton masat e sigurisë, në ruajtje edhe Qeveria e Kuvendi

Kosova ka shtuar masat e sigurisë gjatë ditës së martë, pas sulmeve terroriste të ndodhura në Bruksel.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka konfirmuar përmes telefonit për Top Channel se, tashmë janë shtuar kontrollet dhe patrullat policore, por – duke qetësuar opinionin – shton se nuk ka tregues konkretë për ndonjë sulm të mundshëm terrorist në Kosovë.

Kelani tha se, Policia është duke monitoruar çdo lëvizje dhe do të jetë në gjendje të kryejë detyrat sipas mandatit ligjor.

Po ashtu, Policia e Kosovës ka kontrolluar dhe shtuar masat e sigurisë edhe në objektin e Qeverisë dhe atë të Kuvendit.

Ndërkohë, krerët e shtetit kanë dënuar sulmet në Bruksel. Presidentja Atifete Jahjaga, përmes reagimit të saj ka deklaruar se, Kosova solidarizohet me familjet e viktimave në Bruksel dhe dënon ashpër sulmet terroriste.

Ndërsa kryeparlamentari Veseli i ka cilësuar “sulme barbare”, ato që ndodhen gjatë mëngjesit të sotëm në Bruksel. Sipas Veselit, terrorizmi që po lëndon dhe shkakton viktima, kurrë nuk do të arrijë t’i rrënojë vlerat tona europiane.

Edhe kryeministri Isa Mustafa ka shprehur ngushëllimet për humbjen e jetëve në Bruksel.

Sulmet e njëpasnjëshme terroriste, që po shkaktojnë viktima në njerëz, sipas kryeministrit Mustafa dëshmojnë nevojën e bashkimit të botës demokratike kundër së keqes dhe akteve terroriste të drejtuar kundër rendit demokratik.

Për sulmet në Bruksel ka reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës, e cila i ka cilësuar sulmet si terroriste dhe ka shprehur solidarizim me popullin belg.

Akte të tilla, të cilat sjellin viktima, terror e dhunë, sipas BIK-ut janë vepra antinjerëzore dhe, si të tilla, paraqesin rrezik e sfidë për njerëzimin, para të cilave bota nuk duhet të dorëzohet e gjunjëzohet.

/ Top Channel

SHKARKO APP