Kosova tenton të shfuqizojë ligjin për Gjykatën Speciale, ambasadori i SHBA: Ide e tmerrshme

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka dështuar për herë të dytë që të sigurojë kuorumin për shqyrtimin e kërkesës së 43 deputetëve nënshkrues, me të cilën kërkohej seancë e jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe nuk i kanë dërguar përfaqësuesit e tyre në mbledhjen e Kryesisë me çka e kanë pamundësuar kuorumin për vendimmarrje. Në mbledhje kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.

Sipas procedurës, Kryesia e Kuvendit duhej që ta procedonte propozimin për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale dhe më pas, Qeveria ta dërgonte atë në Kuvend për miratim. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se përpjekjet për seancë të jashtëzakonshme përfundojnë këtu për të vazhduar ditëve në vijim.

Lidhja Demokratike e Kosovës, konsideron se shfuqizimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar mund të prodhojë situata të reja, që sipas tyre do të rrezikonin stabilitetin dhe do të dëmtonin subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Nënkryetari i Kuvendit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Kujtim Shala ka thënë në një konferencë për media se kjo tendencë është tepër e rrezikshme dhe fut vendin në aventura të paparashikuara.

“Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se të gjitha çështjet jetike duhet të trajtohen me maturi dhe pa nxitim. LDK e sheh si jetike për vendin tonë ruajtjen e raporteve dhe të miqësisë me SHBA-në, vendet e BE-së dhe vendet e tjera mike. LDK nuk do të jetë pjesë e veprimeve të pamatura dhe nuk do të lejojë që fati i qytetarëve dhe vendit të futet në rrugë të paqarta”, ka thënë Shala.

Kurse kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se shfuqizimi i ligjit për Gjykatën Speciale do të ishte rrënues për shtetin.

“Si kryetar i LDK-së i konsideroj rrënuese për shtetin tonë dhe të dëmshme për drejtësinë iniciativat për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Ambasadori amerikan, Greg Delawie ka qenë i pranishëm në ambientet e Kuvendit prej ku ka shprehur pakënaqësinë e tij për këtë iniciativë.

“Më duhet të them që jam shumë i dëshpëruar për këtë çështje që erdhi papritur, pa ndonjë debat publik dhe që është shumë e rëndësishme për qytetarët dhe të ardhmen e Kosovës. Unë e konsideroj turpëruese.

“Në rast se ky propozim kalon do të ketë implikime shumë negative për të ardhmen e Kosovës si pjesë e Evropës dhe do të konsiderohet nga Shtetet e Bashkuara si thikë pas shpinës”, ka thënë ambasadori Delawie.

Disa orë më parë ambasadori amerikan e ka cilësuar si të tmerrshme një ide të tillë.

“Ideja për ta ndryshuar ligjin për Gjykatën Speciale mund ta izolojë Kosovën globalisht. Ide e tmerrshme. Mos e ktheni orën mbrapa”, ka thënë ai./REL

SHKARKO APP