Kosova voton kundër Gjykatës Speciale
Kuvendi i Kosovës nuk ka mundur të miratojë amendamentin e Kushtetutës së Kosovës, i cili do t’i hapte më pas rrugë miratimit të krijimit të Gjykatës Speciale, e cila do të gjykojë krimet e supozuara të luftës së Kosovës nga ish-pjesëtarë të UÇK-së.
Mazhoranca qeverisëse nuk ka mundur të sigurojë 81 votat e nevojshme për të miratuar këtë ndryshim kushtetues, diçka për të cilën ndoshta e kanë parashikuar, për shkak se ky votim duhej të kishte ndodhur shumë kohë më parë, duke parë edhe shtysat nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara.
Në seancën plenare të së premtes të Kuvendit të Kosovës, që nisi me vetëm një çështje në rend të ditës, pikërisht miratimin e amendamentit të Kushtetutës për themelimin e dhomave të specializuara, votuan 75 deputetë pro, 7 dolën kundër dhe 2 të tjerë abstenuan. Tashmë duket se përpjekjet e Kosovës për ta miratuar vetë një gjykatë të tillë kanë dështuar, ndërsa pritet me të gjitha gjasat që votimi të mund të bëhet në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.
Deputetët që votuan kundër janë: Rafet Rama, Raif Çela, Xhevahire Izmaku, Ganimete Musliu, Nait Hasani, Fadil Demaku dhe Fadil Beka, të gjithë të grupit parlamentar të PDK-së. Deputetët që abstenuan janë: Flora Brovina dhe Nezir Çoçaj, sërish nga PDK.
Më poshtë bëhet e ditur përmbajtja e amendamentit kushtetues:
“Propozim-Amendamenti nr. 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës: Në Kushtetutë shtohet neni 162, për themelimin e dhomave të specializuara, krjimin e zyrës së prokurorit të specializuar, krijimin e një dhome të specializuar të Gjykatës Kushtetuese të përbërë nga tre gjyqtarë ndërkombëtarë, dhe emërimin e një Avokati të Popullit, ose siç i referohet vendimi “Ombudsperson” i veçantë dhe për zyrën e prokurorit të specializuar. Për Gjykatën Kushtetuese këto janë elemente të reja strukturore në sistemin e drejtësisë, që bëhen me ligj dhe me qëllim të luftimit të krimeve specifike”.