“Kosovaret meritojnë të lëvizin lirshëm në BE”
Prestigjiozja gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung, ka zhvilluar një intervistë me zëvendëskryeministrin e parë të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e shtatëvjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Pavarësia e Kosovës mbylli kapitullin e konflikteve në Ballkan
Thaçi theksoi për të përditshmen gjermane se pavarësia e Kosovës mbylli kapitullin e konflikteve në Ballkan. Tani të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë janë në paqe me njëri-tjetrin, disa prej tyre janë anëtarë të Bashkimit Evropian, ndërsa të tjerët aspirojnë anëtarësimin në BE. Por, tranzicioni nuk ka qenë i lehtë dhe shumë njerëz në Ballkan e shohin të ardhmen e tyre në ekonomitë e konsoliduara të BE-së. Një e katërta e të gjithë kosovarëve tashmë jetojnë legalisht në BE, kështu që ekziston dëshira për bashkim familjar atje. Fluksi i fundit i emigrantëve mbështetet në në një vërshim tejet të çuditshëm të thashethemeve se Gjermania po u jep azilkërkuesve leje qëndrimi. Kjo është absurd, por ka bërë njëherit që njerëzit të dëshirojnë të emigrojnë në mënyrë të paligjshme.
Kemi bërë shumë në vitet e fundit, por mbesin edhe sfida para nesh
Zëvendëskryeministri Thaçi tha se Kosova është pavarësuar para vetëm 7 vitesh. Vetëm 15 vite më parë ne patëm një luftë gjenocidale kur gjysma e popullsisë sonë po ikte nga forcat e egra të Millosheviqit. Para kësaj, patëm një gjysmë shekulli të diktaturës komuniste e cila ishte veçanërisht armiqësore ndaj shqiptarëve. Pra, në krahasim se ku kemi qenë në historinë tonë bashkëkohore, ne kemi arritur disa rezultate të jashtëzakonshme. Megjithatë, është e natyrshme që njerëzit duan më shumë. Nga Lubjana e deri në Athinë, i tërë Ballkani ka një shtresë të caktuar të njerëzve që kanëgjetur veten të humbur në tranzicion dhe kjo është një tragjedi, por ne duhet të sigurojmë që ritmi i progresin i përfshinë edhe këta njerëz.
Kosova është një demokraci e re, me një shoqëri vibrante dhe të kthyer nga e ardhmja
Në shtatë vitet e fundit, që kur u bëmë të pavarur, shumica e vendeve anëtare të OKB-së, 108 prej tyre, e kanë njohur shtetësinë e Kosovës dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka dhënë opinionin e saj sipas të cilit pavarësia jonë nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Ne jemi anëtarë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Gjithashtu, ne kemi shënuar rritjen më të madh mesatare në Evropën Juglindore, në shkallë prej 4%, pavarësisht krizës financiare që dëmtoi ekonominë rajonale. Ne kemi gjithashtu një ndër shkallët më të vogla të borxhit publik në Evropë, nën 10%. Mbi 80% e ekonomive familjare sot kanë internet broadband në shtëpitë e tyre. Është fare e lehtë të përqendrohemi në lajmet e trishtuara, me njerëz që po e lënë Kosovën, por ne duhet po ashtu të kujtojmë se Kosova është një demokraci e re, me një shoqëri vibrante dhe të kthyer nga e ardhmja. Ne jemi shteti i parë në Ballkan që ka zgjedhur një grua president dhe vendi i vetëm në rajon që mbronë të drejtat e komuniteteve LGBT në Kushtetutën tonë. Por, kriza financiare e ka goditur edhe Kosovën dhe papunësia në shkallë prej 30% ka mbetur e lartë. Kjo është një sfidë kyçe. Njerëzit janë të lodhur nga politika, ata kërkojnë vende pune.
Afro 30% deri në 40% janë azilkërkues të vazhdueshëm
Thaçi theksoi se Kosova çdo vit ka pasur një “fluks dimëror” të emigrimit dhe zakonisht bëhet fjalë për shtresën më të margjinalizuar të shoqërisë siç janë banorët e përkatësisë rome, apo njerëz shumë të varfër. Këtë vit kemi një zhvillim tjetër. Të joshur nga manipulimet dhe thashethemet për qasje të lire dhe leje të punës në Gjermani, ka madje edhe ca njerëz me paga të mira që e kanë lënë vendin. Afro 30% deri në 40% prej emigrantëve janë azilkërkues të vazhdueshëm.
Vendi ka nevojë për reforma në arsim dhe fuqi punëtore me aftësi profesionale
Sa i përket mundësive ekonomike në vend, Thaçi tha se Kosovës i duhen kultura dhe shprehitë e punës që i vërejmë të gjermanët në vend se qytetarët tanë ta braktisin vendin për në Gjermani. Në vendin tonë ka mundësi të shumta në sektorët si teknologjia informative, ndërmarrjet e vogla dhe bujqësi, por që ka mungesë të fuqisë punëtore me aftësitë e duhura. Prandaj, arsimi është çelësi. Ne kemi ndërtuar 100 shkolla të reja në 7 vitet e fundit dhe i kemi rritur pagat e mësimdhënësve për 50%, por kemi nevojë për të reformuar edhe mësimdhënien. Ne kemi nevojë për fuqi punëtore me aftësi profesionale dhe të rinj që mund të kontribuojnë në shtetndërtimint të Kosovës në një mënyrë që nuk është e mundur në Gjermani. Në Kosovë ne kemi një “tabula ra”, një faqe boshe të cilën të rinjtë tanë mund ta plotësojnë si të duan.
Dezinformimi nuk e ka ndihmuar çështjen e emigrimit
Zëvendëskryeministri Thaçi shtoi se ka sigurisht tranfikantë të qenieve njerëzore që janë të përfshirë në emigrimin e kosovarëve. Njerëzit e kalojnë kufirin serb për të hyrë në Hungari me ndihmën e policëve apo me rojet kufitare. Kohë mëparë, emigrimi ilegal kushtonte nga 4,000 deri në 8,000 euro, kurse çmimi i sotëm është më pak se 400 euro. Por, ka pasur edhe disa medie të njohura në Kosovë të cilat gjatë janarit të këtij viti kanë botuar shumë shkrime sipas të cilëve kosovarët po merrnin banesa dhe viza në Gjermani pa kurrfarë vështirë, gjë që vetëm se i ka shtuar benzin zjarrit. Madje edhe disa analistë të mirënjohur shkruanin se Evropa Perëndimore, për shkak të shkallës së ulët të lindshmërisë, po kërkon kosovarë, një gjë krejtësisht frustruese për të gjithë.
Serbia duhet të tregojë bashkëpunim
Serbia nuk mund të mbyllë kufirin e saj me Kosovën, tha Thaçi, duke shtuar se ajo mund të bëjë një punë mëtë mire në kontrollimin e kufirit me Hungarinë ku njerëzit kalojnë fare lirshëm. Ka edhe video në YouTube me kosovarë duke u dërguar nga policët e korruptuar serbë në pyje ku është e lehtë për të kaluar kufirin. Gjithashtu, kosovarët po udhëtojnë në Serbi me letërnjoftim, por Serbia nuk po i lejon ata të kthehen me pasaporta të Kosovës. Pra, ne kemi nevojë për një bashkëpunim më të mirë me fqinjin tonë verior.
Është e padrejtë që të rinjtë të mos lëvizin lirshëm në BE
Kosova është një vend i sigurt. Prishtina ka një shkallë më të ulët të krimit për frymë sesa shumica e qyteteve gjermane. Gjermania dhe të gjitha shtetet anëtare të BE-së nuk do të gabojnë me të klasifikuar Kosovën si “një vend të sigurt të origjinës” . Për më tepër, ato shtete të BE-së që e kanë bërë këtë nuk kanë pësuar nga migrimi i kosovarëve. Mirëpo, Kosova ka nevojë për të udhëtuar legalisht për në BE. Të rinjtë tanë ndjehen të frustruar që, ndonëse jetojnë në një vend që gjendet vetëm një orë fluturimi larg BE-së, ende nuk mund të vizitojnë Berlinin, të udhëtojnë me tren, tëshkojnë në koncerte apo të marrin pjesë në programe shkëmbimi në fushën e arsimit. BE ka liberalizuar regjimin e vizave me shtete nga Kolumbia e deri të Molldavia, pra është e padrejtë që 1.8 milionë kosovarë nuk mund të udhëtojnë për në BE pa viza, tha Thaçi.
Kosova është e hapur për investime të jashtme, por duhet të çrrënjosë korrupsionin
Thaçi nënvizoi se disa nga projektet më të mëdha të investimeve pritet të përfundojnë brenda këtij viti. Një kompani amerikane e fitoi tenderin për ndërtimin e një termocentrali të ri prej 1 miliardë euro, ndërsa një konsorcium francez e fitoi garën për të investuar 400 milionë euro në turizmin dimëror. Ka akoma probleme siç janë procedurat e ngadalshme gjyqësore, korrupsioni dhe imazhi i përgjithshëm që pengojnë investimet, por Kosova mbetet e hapur për biznes.
Komuniteti ndërkombëtar ka luajtur një rol të rëndësishëm në fazën e tranzicionit
Lidhur me rolin e komunitetit ndërkombëtar në Kosovën e tranzicionit, Thaçi tha se të jesh një protektorat i OKB-së për pothuajse një dekadë nënkupton të kesh një gjykatës Nigerian, një prokuror finlandez, një politikan gjerman, një ekspert ekonomik nga Bangladeshi, e kështu me radhë. Këta njerëz mund të jenë të kualifikuar, por kjo nuk është një mënyrë e duhur për të ndërtuar një perspective afatgjatë për vendin. Kemi humbur disa mundësi ekonomike në vitet pas shpalljes së pavarësisë edhe pse ne duhet gjithashtu t’u jemi mirënjohës ndërkombëtarëve për rolin që kanë luajtur duke na ndihmuar në garantimin e sigurisë dhe në ndërtimin e institucioneve të pavarura.
Të rinjtë tanë mund të marrin përvoja të çmueshme në BE në të mirë të Kosovës
Zëvendëskryeministri Thaçi tha se çdo ikje e trurit mund të shndërrohet në fitim të trurit nëse Kosova tregon sukses. Mendoj se ne duhet të gjejmë mënyra që të rinjtë tanë të marrin përvoja të çmueshme në Evropë, para se gjithash në fushën e arsimit dhe të punës në mënyrë të ligjshme. Shumë prej tyre do të kthehen si investiture apo ekspertë, siç ishte rasti me Bangalore, Irlandën apo vendet baltike.
Kosova shpreson të nënshkruaj marrëveshjen e parë kontraktuale me BE-në gjatë verës së këtij viti
Kosova shpreson të nënshkruaj marrëveshjen e parë kontraktuale me BE-në gjatë verës së këtij viti, tha Thaçi. BE ka treguar një vonesë jashtëzakonisht të madhe marrë parasysh se Kosova e ka nënshkruar Marrëveshjen historike të Brukselit në pjesën e parë të vitit 2013 dhe, përkundër shumë premtimeve, duket se burokracia e Brukselit është më e ngadalshme për t’i mundësuar Kosovës atë që i nevojitet dhe e meriton.
Kemi përmbushur 90% të kushteve për liberalizimin e vizave
Rrëfimet e fundit të emigrimit të kosovarëve me siguri se do të dëmtojnë punën të gjithë angazhimin tonë për liberalizimin e vizave. Ne i kemi përmbushur 90% të kushteve duke përfshirë lëshimin e pasaportave biometrike dhe digjitalizimin e të dhënave personale. Kosova është dashur të përmbushë më shumë kritere se të gjithë fqinjtë tanë, por ne po e bëjmë këtë. Detyrat tona të shtëpisë do të marrin fund në verë këtij viti dhe u mbetet shteteve të zones Schengen të marrin një vendim politik që të na mundësojnë regjimin pa viza. Nëse ato shtete e duan këtë, ato pa dyshim mund ta bëjnë këtë deri në fund të këtij viti, edhe pse unë nuk parapëlqej të përmend asnjë datë.
Kosova e mori bajrakun e “Procesit të Berlinit”
Kosova është një vend i vogël me një popullsi të vogël dhe nuk paraqet kurrfarë kërcënimi për askë. Ne po luajmë një rol konstruktiv në vendosjen e paqes në Ballkan. BE po jep miliarda për misionin e saj EULEX në Kosovës, por mbase do të ishte më mire që një pjesë e kësaj shume të përdoret në të ardhmen për investime, arsim dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Së këndejmi, nisma e kancelares gjermane Angela Merkel për rritjen e investimeve në rajon është një momentum i ri, pozitiv. Unë do të jem nikoqir i konferencës së 25 majit, në Prishtinë, ku gjashtë ministra të punëve të jashtme dhe të infrastrukturës të rajonit do të mblidhen për të diskutuar rreth investimeve konkrete në infrastructure që do të kenë ndikim për tërë rajonin.