Kosovë- 1.4 për qind e fëmijëve kanë qenë viktima të dhunës

Në ditën e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, Koalicioni i OJQ-ve për mbrojtën e fëmijëve në Kosovë – KOMF, ka vlerësuar se fëmijët në Kosovë vazhdojnë të mos gëzojnë të drejtat e tyre.

Në një njoftim për shtyp, KOMF ngre shqetësimin se të dhënat në Kosovë tregojnë se edhe këtë vit vazhdon të mos ketë investime të mjaftueshme për fëmijët dhe se fëmijët nuk gëzojnë të drejta të barabarta.

“Të dhënat në Kosovë tregojnë se edhe këtë vit vazhdon të mos ketë investim të mjaftueshëm tek fëmijët dhe se jo të gjithë fëmijët mbrohen dhe gëzojnë të drejta të barabarta. Të dhënat e fundit, të cilat institucionet e Kosovës kanë në dispozicion flasin për një shkallë të varfërisë së fëmijëve 32.8 për qind në krahasim me 29.7 për qind sa është për popullsinë e përgjithshme”, thuhet në komunikatë.

Më tej, KOMF thekson se Raporti i Progresit i Komisionit Evropian, i publikuar pak ditë më parë tregon se në Kosovë ka mungesë të zbatimit të legjislacionit që mbron të drejtat e fëmijëve.

“Megjithëse është punuar shumë në hartim të legjislacionit, progres raporti për Kosovën për këtë vit, theksoi faktin se kemi mungesë të zbatimit të legjislacionit i cili ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Komunat vazhdojnë të mos kenë burime të mjaftueshme për të ofruar shërbime sociale brenda përgjegjësive të tyre.”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në Kosovë 10.07 për qind e fëmijëve mes moshës 5-17 vjeç janë të angazhuar në punë, ndërsa 61.4 për qind e fëmijëve deri në moshën 14 vjeç kanë thënë se kanë qenë viktima të dhunës psikologjike dhe fizike.

KOMF shpreh edhe shqetësime tjera në lidhje me të drejtat e fëmijëve, pasi shumë fëmijë në Kosovë shfrytëzohen për të kërkuar lëmoshë. Po ashtu, përkujdesja shëndetësore për fëmijët vazhdon të jetë e pamjaftueshme, si dhe mospërfshirja e një pjese të konsideruar të fëmijëve në proceset edukativo-arsim ore mbetet një problem kyç me të cilin përballen fëmijët në Kosovë.

KOMF përbëhet nga: Associazione Amici dei Bambini, Asociacioni për Trajnime Sociale, Hulumtime dhe Avokim – ASTRA , Iniciativa 6, Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit me qenie njerëzore MVPT, One to One Children’s Fund, One To One Kosova – Qendra e Këshillimit për Familje, Organizata Rinore Akti, Save the Children, Shpresa dhe Shtëpi për Fëmijët Kosovë, Terre des hommes, World Vision, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, OPFAKKOS, Qendra për Arsim e Kosovës – KEC, Programi për të Drejtat Civile, VoRAE, Aksioni Nëna dhe Fëmija, Balkan Sunflowers Kosova”, thuhet në komunikatën e KOMF-it.

SHKARKO APP