Kosovë, 100 ditët e Hotit, kryeministri renditi arritjet e qeverisë së tij para deputetëve

Kosova ka shënuar progres në rendin e vet demokratik, në përballjen me korrupsionin e krimin, me pandeminë e koronavirusit dhe me qasjen shtetërore ndaj fqinjëve e vendeve mike.

Kryeministri, Avdullah Hoti, i renditi arritjet e qeverisë së tij të premten para deputetëve dhe shqiptarëve të Kosovës, teksa raportoi për 100 ditët e para në pushtet.

Hoti e konsideroi menaxhimin e situatës me kovidin-19, rast shembullor për rajonin e më gjerë.

“…për këtë pandemi jemi sharë shumë, sidomos në këtë kuvend, por sot … Kosova është hequr nga lista e vendeve të rrezikshme dhe ata persona që i kanë shtrembëruar të dhënat sot duhet të turpërohen.”

Kreu i qeverisë foli për dialogun konstruktiv me Serbinë, por edhe fajësoi qeveritë e kaluara se i tendosën marrëdhëniet si me Beogradin, edhe me partnerët evropianë dhe me Shqipërinë.

“…Kur e kemi marrë qeverinë, bashkëpunimin me Shqipërinë e gjetur në një gjendje të ngrirë, falë angazhimit të dyanshëm tash jemi në një fazë të re të marrëdhënieve tona ku po kalojmë në realizim konkret të projekteve jo vetëm për dy vendet po mbarë rajonit…”

Hoti theksoi se në 100 ditët e ardhshme fokusi do zhvendoset te rimëkëmbja ekonomike, por axhenda e shpalosur prej tij nuk e bindi opozitën e pranishme në kuvend.

Kritikat u prinë nga shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

“Zotëri Hoti veç një shërbim mund t’ia bëni Kosovës në këtë 100 ditësh, apo 100 netësh të qoheni nga këto netë në një ditë të mëngjesin të jepni dorëheqje. Zgjedhjet e reja janë të domosdoshme, por po duket që janë të pashmangshme. Jep dorëheqje Avdullah, ktheja qytetarëve atë që iu more.”

Selimi iu kundërvu edhe deklaratave të kryeministrit Hoti për raportet me Shqipërinë.

“Me Shqipërinë e keni shumë gabim… A jeni mend, a jeni normal ju. Ramën nuk duhet të shihni si krejt Shqipërinë, atë duhet të shihni si thjeshtë një kryeministër. Kosova dhe Shqipëria nuk janë as Ramë, as Hotë as Thaçë.”

Qeveria Hoti nga 4 qershori udhëheq politikën e Kosovës me LDK-në në krye, në aleancë me ligjvënësit e Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt.

Tri aleatët thonë se koalicioni i tyre është i qëndrueshëm dhe funksional.

SHKARKO APP