Kosovë, 11 mjekë të Urgjencës në Viti mbyllen në karantinë
Emergjenca në Komunën e Vitisë është mbyllur sot në mëngjes, pasi një person rreth të 80’ve po dyshohet se është prekur me koronavirus. I gjithë stafi mjekësor që ka qenë në kontakt me ambientin ku ka qëndruar ai, është në karantinë.
Rastin për Express e ka konfirmuar Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Vjollca Kodoni.
“Po, është shumë e vërtetë që është mbyllur Emergjenca në Viti.
Ka qenë një rast që është i dyshuar. Ka shkuar prej nesh në Gjilan si grip, pra si gjendje gripoze. Nuk është dyshuar që është i prekur me koronavirus, pra është dyshuar veç për gjendje gripoze, por ns bazë të informatave jozyrtare kemi marrë vesh që rasti ka shkuar në Prishtinë, për dyshim me virus.
Prandaj ne siç kemi ardhur sot në mëngjes, kemi mbyllur Emergjencën dhe kemi bërë pastrimin dhe aktualisht jemi duke funksionuar në objektin tjetër”, ka thënë ajo për Express.
Kodoni thotë se i ka urdhëruar 11 mjekë e infermierë që të mos dalin nga dhoma deri në daljen e rezultateve. Personi që dyshohet për koronavirus ka qenë në Itali së fundi.