Kosovë, 16 vjet nga masakra në Reçak: Mustafa homazhe në Kompleksin Memorial
Në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, në Kosovë, u zhvilluan sot homazhe për martirët e lirisë dhe pavarësisë, të rënë në masakrën e forcave serbe para 16 vitesh, e cila tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore. Në përkujtim të kësaj masakre të ndodhur në 15 janar të vitit 1999, ku u vranë mbi 45 civilë shqiptarë, zhvilluan homazhe në kompleksin memorial kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Kryeministri tha se Masakra e Reçakut solli ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar, pasi është një pasqyrë e veprave të ushtrisë dhe policisë serbe të atëhershme, të cilët masakruan pleq e të rinj.
“Është një pasqyrë e veprave më morbide të regjimit të atëhershëm serb, të ushtrisë, të policisë dhe të paramilitarëve, të cilët vranë dhe masakruan njerëz të paarmatosur, pleq edhe të rinj, që flet për dimensionet e një lufte shumë të ndytë, dhe një sjelljeje çnjerëzore, e cila u manifestua ndaj popullatës shqiptare këtu, por po ashtu edhe për vlerat e lirisë dhe pavarësisë sonë, të cilat u ngritën mbi gjakun e njerëzve tanë, mbi flijimin e tyre, edhe mbi patriotizmin e tyre”, – theksoi kryeministri Mustafa.
Masakra e Reçakut njihet si një nga ngjarjet kryesore që u kanë paraprirë proceseve, të cilat kanë çuar te fushata e bombardimeve të NATO-s kundër shënjestrave serbe. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar këtë masakër si “krim kundër njerëzimit”. Xhavit Haliti nga PDK, me anë të një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka përkujtuar viktimat e masakrës së Reçakut.
Sipas Halitit, ky krim kundër njerëzimit, alarmoi fuqishëm botën demokratike amerikane dhe evropiane për tmerrin dhe gjenocidin që po ushtrohej ndaj civilëve shqiptarë, dhe shënoi kthesë të fortë historike për Kosovën dhe të ardhmen e saj.