Kosovë- 200 mijë euro për rikonstruksionin e stadiumit të Kaçanikut

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nënshkroi sot një memorandum bashkëpunimi me komunën e Kaçanikut, për rikonstruksionin e stadiumit të futbollit, me një fond prej 200 mijë euro.

Memorandumi i nënshkruar nga ministri i MKRS-së, Kujtim Shala dhe kryetarit të komunës së Kaçanikut parashikon që investimi të kryhet në një fazë dy vjeçare.

Komuna e Kaçanikut, në bazë të dokumentit të nënshkruar, do të investojë 140 mijë euro, 70 mijë në vitin 2016, ndërsa 70 mijë euro në vitin 2017.

Ministri Shala, u shpreh se financimi i këtij projekti të rëndësishëm kapital për Komunën e Kaçanikut është në kuadër të investimeve që po bën MKRS-ja në gjithë Kosovën, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës për sportin e Kosovës. Ky stadium do të jetë një hapësirë e rëndësishme për sportistët e Kaçanikut dhe shërben për krijimin e kushteve më të volitshme për këta sportistë, që të zhvillojnë sport cilësor dhe të korrin rezultate.

Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, theksoi se “ky projekt për stadiumin është në të mirë të interesave të futbollistëve dhe të qytetarëve të kësaj komune, të cilët do të kenë kushte për zhvillimin e aktiviteteve sportive”.

Në takim u diskutua edhe për mbarëvajtjen e punimeve në Palestrën e Sportit, që është duke u ndërtuar në qytetin e Kaçanikut, ku në bazë të planifikimeve buxhetore në periudhën 2016 – 2018, MKRS-ja do të investojë edhe gjysmë milion euro në këtë projekt.

SHKARKO APP