Kosovë, ambasadori amerikan: Deputetët me arrest shtëpie s’duhet të vijnë në Kuvend
Ambasadori amerikan, Greg Delawie është shprehur shumë i shqetësuar me ngjarjet e sotme në Kuvendin e Kosovës. Ai ka thënë se është shqetësuese ardhja në Parlament e deputetëve të cilët janë në arrest shtëpiak, ndërkohë që ka shfaqur shpresën që sot do të ketë seancë.
“I kam parë dy deputetë të cilët janë në arrest shtëpiak dhe më shqetëson shumë t’i shoh dy anëtarë të parlamentit që nuk e respektojnë ligjin”, ka thënë Delawie duke iu referuar pranisë në Kuvend të deputetëve Fisnik Ismaili e Faton Topalli, të cilëve u është shqiptuar para disa ditëve masa e arrestit shtëpiak.
Ai ka përmendur edhe vizitën e Sekretarit të Shtetit, John Kerry, i cili kishte bërë thirrje të mbahet larg dhuna sepse Kuvendi nuk është vend i dhunës e i gazit lotsjellës. Delawie ka thënë se është i zhgënjyer me deputetët që kanë hedhur gazin lotsjellës në seancë sot, ndërsa ka shtuar se është i shqetësuar edhe për retorikën nacionaliste të shtuar kohëve të fundit. “Ballkani ka parë shumë nacionalizëm dhe kjo mjafton me kaq”, ka thënë ai.