Kosovë, bien investimet e huaja, shkak mungesa e ligjit e korrupsioni
Investimet e huaja në Kosovë edhe gjatë vitit 2014 kanë pësuar rënie. Sipas ekspertëve të ekonomisë, mungesa e sundimit të ligjit dhe korrupsioni kanë dekurajuar investitorët potencialë për ta shikuar Kosovën si një vend për investim.
Lumir Abdixhiku, drejtor në Institutin “Riinvest”, pohoi se investimet e huaja në Kosovë po bien nga viti në vit, e arsye për këtë sipas tij mbetet ambienti i rënduar i të bërit biznes, burokracia, korrupsioni, mosfunksionimi i gjykatave dhe risku i lartë politik.
“Edhe këtë vit investimet e jashtme direkte në Kosovë kanë rënë dhe ato shënojnë numrin më të ultë diku rreth 250 milionë euro brenda një viti, që është një shumë jashtëzakonisht simbolik. Ka disa arsye se pse nuk po kemi investime të jashtme direkte në Kosovë. E para dhe më e rëndësishmja është se Kosova nuk është bërë asnjëherë vend atraktiv për investitorët e huaj. Ka ambient të renduar të burokracisëkorrupsionit, mos funksionimit të gjykatave. Ka një risk të lartë politik, funksionimi i institucioneve shtetërore ndër të tjerash këtë vit ka qenë shkatërrues sa i përket investimeve”, thotë Lumir Abdixhiku, drejtor i Institutit “Riinvest”.
Abdixhiku shtoi se për arsye nga më të ndryshmet, bizneset që po vijnë në Kosovë po përfundojnë në vendet përreth. Edhe kryetari i Odës Ekonomike Amerikane Arian Zeka, pohon se investimet e huaja janë në normat më të ulëta se 50 për qind, krahasuar me ato të vitit të kaluar.
“Barriera kryesore natyrisht është pasiguria që përcjell një investitorë potencial gjatë tërë kohës dhe kjo është për shkak të situatës së paqartë politike. Meqenëse faktorët politik janë faktorë të rëndësishëm në marrjen evendimeve për investime. Pra, kemi një jo stabilitet politik….Kemi pasur qindra kompani amerikane të cilat kanë ardhur në Kosovë e realisht sot një pjesë e madhe e tyre janë larguar. Për shkak të mos ofrimit të kushteve të duhura për të bërë biznes”, thotë Zeka.
Por me një gjë të tillë nuk pajtohet Kryeshefi i Agjencisë për Promovimin e Investimeve Valdrin Lluka. Ai tha se nuk ka ankesa nga investitorët për një ambient jo të mirë për biznes, ndërsa shtoi se nuk janë ballafaquar asnjëherë me raste kur investitorët ikin nga Kosova. Lluka pohon se ka pasur rënie të lehtë të investimeve, por megjithatë thotë se shifrat janë optimiste. Sipas tij, rreth 250 milion euro janë investime totale të huaja në Kosovë. / Top Channel