Kosovë, dokumente komprometuese për specialen

Zyrtarë të Gjykatës Speciale për krimet e luftës çlirimtare të Kosovës kanë kërkuar rikthimin e dosjeve të ndryshme komprometuese për trupin gjykues dhe prokurorët e saj.

Njësoj si javën e kaluar, kopje të dokumenteve në gjuhën angleze dhe serbe iu dorëzuan të mërkurën në mënyrë anonime Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas drejtuesve të saj, në to paraqiten komunikimet e ndërkombëtarëve me prokurorinë serbe, me gjykatën atje për krime lufte dhe me zyrtarë të tjerë të aparatit shtetëror të ish-Jugosllavisë.

Nasim Haradinaj, nënkryetari i OVL-UÇK-së, thotë se ende nuk është konfirmuar vërtetësia e dokumenteve, megjithëse ata vazhdojnë të mendojnë se Gjykata Speciale punon kundër tyre.

Haradinaj: “…për ne është e skaduar e dalne afatin e bërë bajat por edhe me atë është vërtetuar edhe që është e krymur me helme nga aparati shtetëror i Millosheviqit nuk do i japim dosjet pa praninë e gjykatave tona ose të paktën të Policisë tonë”

Hetuesit nga Prokuroria e Specializuar e Kosovës me seli në Hagë raportohet të kenë marrë 4 mijë dosje për krime lufte, që i ishin dorëzuar kohë më parë anonimisht selisë së OVL-UÇK-së.

Sipas Haradinajt, serbët që urdhëruan kryerjen e krimeve në Kosovë po tentohet të pastrohen nga ekipi ndërkombëtar i drejtësisë.

Haradinaj: “Duke i marrë ata si dëshmitarë valid për dëshmi po i pastrojnë po i pastrojmë prej krimeve dhe po i vendosim si bashkëpunëtorë dhe po i qesin qytetarë të denj, po bëhen dy padrejtësi. Ata po pastrohen, kurse ne që e patëm luftën e imponuar na shpallin kriminel.”

Organizata ka bërë të ditur se personi që ka sjellë 1300 dosjet e fundit ka paralajmëruar se do të sjellë dokumente të reja.

Dhomat e Veçanta, apo, siç njihen në Kosovë, Gjykata Speciale, deri tani kanë ftuar për intervistim qindra ish-pjesëtarë të UÇK-së, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar.

Në muajin korrik u pyet edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili bashkë me ish-luftëtarë të tjerë pret të mësojë brenda tetorit nëse do ndiqet penalisht aktakuza ndaj tij për krime lufte lufte.

SHKARKO APP