Kosovë, familjarët e të zhdukurve kërkojnë zgjidhje nga Qeveria për ADN-të
Familjarët e personave të zhdukur u kanë bërë thirrje institucioneve dhe Qeverisë së re që të ofrojnë zgjidhje për realizimin e analizave të ADN-së për “qindra trupa” të të vrarëve në luftë që janë gjetur e që duhet t’i nënshtrohen kësaj analize, shkruan sot Koha Ditore.
Mungesa e fondeve nga ana e Komisionit ndërkombëtar për personat e pagjetur në Sarajevë, për realizimin falas të këtyre analizave, i ka shqetësuar këto familje të cilat po druajnë se çështja e të pagjeturve do të zvarritet edhe më tepër tani.
Bajram Qerkini, drejtues i organizatës për personat e pagjetur “Zëri i prindërve”, ka thënë se mosrealizimi i këtyre analizave nga Komisioni ndërkombëtar do të shkaktojë probleme edhe për rastet e reja që do të gjenden në të ardhmen.