Kosovë, hyn në fuqi kodi telefonik ndërkombëtar +383
Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka konfirmuar se nga sot, Kosova është bërë me kod telefonik ndërkombëtarë 383, të cilin, ITU (Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve) ia ka ndarë edhe zyrtarisht.
“Bëjmë me dije opinionin se ITU në pajtim me marrëveshjen e telekomit ka publikuar kodin telefonik për Kosovën. Ky lajm përbën një të arritur historike për fushën e telekomit dhe fuqizon subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, thuhet në deklaratën me shkrim të ministres Tahiri.
Kodi +383 është thënë se me fillimin e zbatimit do të përdoret në tërë territorin e vendit dhe nga të gjithë operatorët e telefonisë mobile dhe fikse, të cilët veprojnë në Republikën e Kosovës, ndërsa kodet aktuale që përdoren nga operatorët do të përdoren në mënyrë paralele për një kohë deri në zbatimin e plotë të kodit +383, në mënyrë që qytetarët të mos kenë pengesa në pranimin e thirrjeve hyrëse dhe dalëse.
Ky proces, siç kanë deklaruar kohë më parë autoritetet e Kosovës, do të marrë kohë nga një deri në dy vjet.
Aktualisht, në Kosovë ekzistojnë tre operatorë të telefonisë mobile dhe fikse, të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare.
Telefonia mobile “Vala” shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386), kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin (+381) të Serbisë, e për të cilat Kosova duhet të paguajë kosto të lartë të shpenzimeve.
Të dhënat e Qeverisë së Kosovës kanë treguar se kostoja e përgjithshme e shkaktuar deri më tani nga mungesa e kodit telefonik ka arritur shifrën në mbi 200 milionë euro.