Kosovë, kërkesa pas koronavirusit
Të përballur me situatën që ka krijuar shfaqja e rasteve të para me koronavirus, grupet e bizneseve në Kosovë kanë apeluar qeverinë për masa konkrete si t’i mbështetë ato në këtë periudhë. Kosova ka konfirmuar të paktën 5 bartës të infeksionit që nga dita e premte.
Situata e krijuar me koronavirusin edhe në Kosovë, ka bërë që komuniteti i biznesit t’i kërkojë qeverisë masa për të zbutur efektin që kjo pandemi pritet të japë te sektori privat dhe te ekonomia.
Në vend raportohen të paktën 5 raste me infeksionin fatal, të importuara nga Italia në komunat e Vitisë, Malishevës dhe Klinës, dhe nga të cilët vetëm një 77-vjeçar ka nevojë për terapi shtesë.
Për kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqin, qeveria duhet të ndërhyjë në tri drejtime.
“E para është shtyrja ose riprogramimi i kredive që të mos ketë presion tek bizneset ose qytetarët. E dyta, është shtyrja e raportimit financiar. E treta, lidhet me këtë qartësimin ose me një qarkore … siç është lirimi i njërit prind nga puna.”
Paketat mbështetëse për bizneset janë një tjetër kërkesë e komuntetit në këtë periudhë paniku, sipas kreut të Odës së Afarizmit, Skënder Krasniqi.
“Sot i kemi tri komuna në karantinë, nesër mund t’i kemi të gjitha. Qeveria duhet të lëshojë leje të posaçme për sektorët e caktuar. Furnizimi i qytetarëve është siguri nacionale.”
Autoritetet e Prishtinës u kanë bërë thirrje qytetarëve të respektojnë masat për mospërhapjen e koronavirusit, duke qëndruar në shtëpi, për të ruajtur grupet e rrezikuara si të moshuarit.
Gjithashtu janë pezulluar përkohësisht transporti ndërurban dhe fluturimet joushtarake dhe jomjekësore nga aeroporti Adem Jashari, janë mbyllur për një afat të pacaktuar lokalet, restorantet dhe qendrat tregtare si edhe kufijtë me shtetet fqinje.