Kosovë, Kuvendi i kërkon llogari Mustafës për bisedimet e fundit me Serbinë
Përfaqësuesit e opozitës kërkojnë llogari nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, për raundin e fundit të bisedimeve në Bruksel.
Ka qenë shefja e grupit parlamentar të subjektit “Nisma për Kosovën”, Valdete Bajrami, e cila e kritikoi qeverinë për mosbërje transparence në këtë proces, ndërkohë shqetësimi më i madh mbetet fakti se, mosbërja e transparencës – sipas deputetes së Nismës, – tashmë është bërë e zakonshme.
“Pse zoti kryeministër nuk u prononcuat para medieve të tregoni se, çfarë biseduat në Bruksel dhe të tregoni qartë, se çfarë vendime morët në ato bisedime? Pse është bërë rutinë kjo mosbërje transparence e bisedimeve Kosovë-Serbi? Kujt duhet t’i besojmë, nëse ju u ikni kamerave, kur ju kërkohet për çfarë çështjesh keni biseduar me Serbinë? Vuçiç e ka thënë troç se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje, e as nuk do të japë Gazivodën, kurse ju kryeministër i shërbeni Bashkësitë serbe në Kosovë. Çfarë i thatë ju në këtë çështje, pse askush nuk e pranon se jeni shumë të dobët si grup negociator, edhe pse ishit 30 veta në delegacion?”, pyeti Valdete Bajrami, deputete e “Nismës për Kosovën”.
Ndonëse vendet e ministrave ishin të zbrazëta, siç është bërë tashmë zakon mungesa e tyre në punimet e Kuvendit, opozita kritikoi qeverinë edhe për situatën ekonomike në Kosovë.
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli, duke iu referuar shifrave zyrtare tha se, Kosova gjendet në krizë të thellë sociale.
“Qeveria e Kosovës i ka lënë jashtë rendit të ditës mirëqenien sociale të qytetarëve, mbrojtjen sociale, punëtorët, veteranët e luftës. Sipas Agjensionit të Statistikave në Kosovë janë 237 mijë e 128 qytetarë me ndihma sociale, 126 mijë e 212 përmes pensioneve bazë me 2.5 euro në ditë, si dhe 110 mijë e 916 qytetarë me pensione prej 1 euro në ditë. Të gjithë treguesit tregojnë se, jemi në një krizë të thellë sociale”, tha Faton Topalli, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.
Në seancën e së enjtes, deputetët miratuan projektligjin për procedurën e përgjithshme administrative, atë për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, disa raporte, por jo edhe raportin e punës së Radio Televizionit Publik të Kosovës.