Kosovë-LDK nesër Kuvend zgjedhor, e uron kryetari i EPP

 

Lidhja Demokratike e Kosovës nesër pritet të mbajë Kuvendin e tetë zgjedhor, pas të shtatit të mbajtur në 7 nëntor 2010, në të cilin kryetari i atëhershëm i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, fitoi garën me kryetarin e partisë, Fatmir Sejdiun – presidentin e parë të Kosovës së pavarur, që pasonte presidentin historik Ibrahim Rugova – kryetarin e partisë së parë të pluralizmit kosovar, të themeluar në 23 dhjetor 1989.

Mustafa dhe Sejdiu, si dhe deputetja më e votuar kosovare në zgjedhjet parlamentare 2014, Vjosa Osmani, kanë paralajmëruar kandidimin për garën për kryetar të LDK-së, ndërsa ka deklarata pretendimesh edhe për kandidime të tjera.

Me rastin e zgjedhjeve të brendshme në LDK, kryetari i Partisë Popullore Evropiane, Joseph Daul, i ka dërguar një mesazh kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa në të cilin thekson se “partia juaj do të zgjedh kryetarin e ri. Cilado qoftë zgjedhja juaj, unë jam i bindur se kryetari i ri do të jetë i aftë sepse ju gjithmonë dini të zgjidhni mirë”.

Që nga themelimi para gati 26 viteve, LDK, e cila në fillimet e saj më shumë se parti ishte lëvizje për liri, pavarësi e demokraci, e udhëhequr nga Rugova, hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për shtet duke theksuar se “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkobëtar si fazë kalimtare”.

Formimi i LDK-së dhe disa partive të tjera, e pastaj Deklarata Kushtetuese për Pavarësi e 2 korrikut e Kushtetuta e Republikës e 7 shtatorit 1990 dhe Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur i zhvilluar nga 26 deri në 30 shtator 1991, u pasuan me zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale, të 24 majit 1992.

LDK ishte pjesë dhe fituese edhe e zgjedhjeve të dyta të marsit të vitit 1998 në një kohë kur rezistenca paqësore e aktive po pasohej edhe me luftën për liri dhe pavarësi të popullit të Kosovës, të UÇK-së.

Pas luftës, në Kosovën e lirë nga qershori 1999, LDK ishte fituese në zgjedhjet e para dhe të dyta parlamentare, e pas shuarjes së Rugovës në 21 janarin 2006, në tre proceset e tjera zgjedhore parlamentare doli parti e dytë.

Pas zgjedhjeve të pesta në liri, të dytave në pavarësi, të 8 qershorit 2014, LDK në koalicion me partinë fituese, PDK-në, udhëheqë për herë të parë qeverinë e Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, i cili është kryetari i tretë i partisë, pas të parit, Rugovës, dhe të dytit, Mustafës.

Në zgjedhjet parlamentare 2014 LDK fitoi 30 mandate deputetësh në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, ndërsa në zgjedhjet lokale të vitit 2013 ka fituar në nëntë nga 38 komunat kosovare.

SHKARKO APP