Kosovë-Maqedoni, lëvizje me letërnjoftim dhe mbledhje të përbashkëta

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka filluar sot vizitën zyrtare në Maqedoni.

Fillimisht, zëvendëskryeministri Thaçi është takuar me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Nikola Poposki, me të cilin ka bashkëbiseduar mundësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral dhe rajonal.

Ai ka falënderuar ministrin Poposki për njohjen dhe forcimin e pavarësisë, përmes mbështetjes që shteti maqedonas i ka dhënë Republikës së Kosovës në anëtarësimin në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.

Në këtë takim është biseduar për mundësinë e organizimit të një mbledhjeje të përbashkët në mes Kosovës dhe Maqedonisë, për të shtyrë agjendën e përbashkët të bashkëpunimit.

“Synimi ynë është që takimi mes dy qeverive të ndodhë në pjesën e parë të këtij viti. Për këtë ekziston një vullnet i plotë politik”, ka thënë zëvendëskryeministri Thaçi gjatë konferencës për media me ministrin Poposki.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikola Poposki, ka thënë se Qeveria e Maqedonisë është e interesuar që mbledhja e përbashkët të mbahet në pjesën e parë të këtij viti.

“Pas takimit që patëm sot, mbledhja e dy qeverive do të ndodhë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti”, ka shtuar Poposki.

Zëvendëskryeministri Thaçi dhe ministri Poposki kanë biseduar për projekte ekonomike dhe infrastrukturore. Me këtë rast, ai ka kërkuar nga autoritet maqedonase që të vazhdojnë ndërtimin e autostradës që do të lidhë dy shtetet.

“Fillimi i ndërtimit të autostradës Prishtinë – Shkup është mirëpritur , derisa u informuam që  së shpejti do të nisë ndërtimi i autostradës Bllacë-Shkup”, ka paralajmëruar Thaçi.

Gjatë konferencës për media, zëvendëskryeministri Thaçi dhe ministri Poposki kanë paralajmëruar se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti do të jetësohet marrëveshja për qarkullimin e qytetarëve vetëm me letërnjoftim.

Më pas, zëvendëskryeministri Thaçi ka takuar presidentin e Maqedonisë, George Ivanov, me të cilin janë pajtuar se marrëveshja e arritur në mes Kosovës dhe Maqedonisë për demarkacionin e kufirit, duhet të shërbejë si shembull dhe model për shtetet e tjera të rajonit.

Ndërkaq, presidenti maqedonas vlerësoi lartë dialogun Kosovë – Serbi, vazhdimi i së cilit i shërben mbarë rajonit.

Zëvendëskryeministri Thaçi ka vazhduar takimin me kryeministrin e Maqedonisë, Nikola Gruevski. Në këtë takim është biseduar për thellimin e marrëdhënieve bilaterale dhe janë pajtuar që shpejt të mundësohet lëvizja e lirë ndërkufitare e qytetarëve tanë veç me karta të identitetit.

Thaçi dhe Gruevski kanë biseduar edhe për agjendën e mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive, që pritet të mbahet së shpejti.

Në këto takime janë nënshkruar dy marrëveshje bilaterale, njëra për bashkëpunim të akademive diplomatike, tjetra për mbrojtjen e investimeve.

Zëvendëskryeministri Thaçi, pasdite do të mbajë një ligjëratë në Universitetin e Evropës Juglindore në Shkup, për të vazhduar më pas vizitën në Tetovë, ku në takime të ndara do të pritet nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Në këto takime do të diskutohet për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, heqjen e barrierave tregtare si dhe lehtësimin e qarkullimit të mallrave. Po ashtu do të bisedohet për projektet rajonale infrastrukturore, ku për Republikën e Kosovës interes i veçantë është përshpejtimi i hapave të ndërtimit të hekurudhës së korridorit të tetë Kërçovë – Strugë – Qafë Thanë.

 

Vizita e tij në Maqedoni vjen vetëm pak ditë pasi zëvendëskryeministri Thaçi zhvilloi vizita zyrtare në Shqipëri dhe Mal të Zi.

SHKARKO APP