Kosovë- Nis seanca e Kuvendit, pritet të votohet mocioni i opozitës për rrëzimin e qeverisë

Kuvendi i Kosovës nisi sot seancën plenare me të vetmen pikë në axhendë: “Shqyrtimi i Mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, të propozuar nga grupet parlamentare: Nisma për Kosovën, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, mbështetur nga 42 deputetë”.

Deputetja e NISMA-s, Valdete Bajrami i ftoi të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë mocionin e iniciuar nga partia e saj.

“Ne jemi të bindur se vendi ynë ka nevojë për një qasje të re qeverisje ,
për shkak te qeverisjes së keqe dhe mungesës së vendimmarrjes”, theksoi Bajrami.

Ajo u shpre se kësaj qeverie  duhet t’i ndërpritet mandati për këto arsye: marrëveshja e nënshkruar me Serbinë për Asociacionin, Demarkacioni me Malin e Zi, mosfunksionimi i Kuvendit dhe Qeverisë, ngecja në liberalizim, kapja e sistemit të drejtësisë.

 Sipas Bajramit, kjo qeveri s’ka qenë e  aftë të marrë vendime për të mirën e qytetarëve.

 

Krahas 30 nënshkrimeve nga deputetët e tri partive opozitare, mocioni është mbështetur edhe nga 8 deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, si dhe 4 deputetë tjerë, kryesisht të pavarur.

Në Kuvendin e Kosovës aktualisht Partia Demokratike e Kosovës ka 36 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 33, Lëvizja Vetëvendosje 16, Lista Serbe 11, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8, Gjashtë Plus (i komuniteteve pakicë) 6, Nisma për Kosovën 6, ndërsa pa grup parlamentar janë 4 deputetë.

Opozita synon të sigurojë 61 vota në Kuvend, të nevojshme për rrëzimin e qeverisë.

Nëse mocioni i mosbesimit merr 61 vota, atëherë çështja kalon në dorën e Presidentit të Kosovës që të vendosë nëse do të shpërndajë Kuvendin dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme apo t’i jap besimin një mandatari të ri për formimin e një qeverie të re. Ndërsa nëse opozita dështon t’i sigurojë 61 vota për rrëzimin e qeverisë, atëherë nuk mund të ketë ngrihet mocion i ri brenda 90 ditëve të ardhshme.

Partia Demokratike në koalicionin qeverisës nuk ka marrë ende një qëndrim për çështjen e mocionit të (mos)besimit për qeverinë, që e kanë ngritur partitë në opozitë.

Kryesia e PDK-së të mërkurën u mblodh për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm për qeverisjen aktuale me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Zgjedhjet e parakohshme janë përmendur si opsion për të nxjerrë vendin nga bllokimi i vendimmarrjes edhe nga deputetë dhe zyrtarë të partive në pushtet.

Koalicioni aktual po përballet me probleme serioze në vendimmarrje për çështje të rëndësisë së veçantë, siç është demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, me çka është bllokuar procesi i liberalizimit të vizave.

Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian këto ditë kanë inkurajuar krerët e institucioneve si dhe Kuvendin dhe qeverinë e Kosovës, që të ratifikojnë demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duke mos i dhënë mbështetje mocionit, i cili besohet se përveç rrëzimit të qeverisë, do ta dërgonte vendin në zgjedhje.

SHKARKO APP