Kosovë, nuk ka seancë për Gjykatën Speciale këtë të enjte
Seanca për amendamentet kushtetuese nuk do të mbahet këtë të enjte, pasi në Kosovë do të vazhdojnë konsultimet në lidhje me riprocedimin në kuvend.
Sot pasdite, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli është takuar me shefat e grupeve parlamentare, por nuk ka mundur të arrijë një kompromis.
Ndërkohë nga ana tjetër, zëdhënësi i qeverisë, Arban Abrashi ka deklaruar për mediat në Kosovë se javën e ardhshme sërish do të procedohen për votim në Kuvend mbi ndryshimet kushtetuese për formimin e Gjykatës Speciale.
“Besojmë që i kemi votat e mjaftueshme”, ka thënë ai për “Rtv21”.
Kuvendi i Kosovës u tha “jo” ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale ditën e premte, pas debatit që zgjati disa orë, nga 81 deputetë të pranishëm në sallë, 75 votuan pro, 7 kundër dhe dy deputetë abstenuan pas votimit elektronik.
Ndërkohë, kërkesa e Qeverisë së Kosovës për të proceduar sërish në Kuvend amendamentin kushtetues, që i hap rrugë formimit të Gjykatës Speciale, po shihet si e realizueshme nga përfaqësues të Kuvendit dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti tha për Top Channel se, Kuvendi nuk e ka të saktësuar as me ligj dhe as me rregullore, se kur një projektligj apo amendament mund të kthehet në seancë në rast dështimi. Ai tha se ka pasur raste, që deputetët kanë votuar “kundër” paradite, e “pro” pasdite.
Kryeministri, Isa Mustafa, dhe zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi, kanë paralajmëruar se, pas konsultave, gjatë ditëve në vijim do të sigurojnë numrat e nevojshëm në Kuvend dhe do të dërgojnë sërish për miratim amendamentin kushtetues, i cili në votimin e parë nuk mori votat e mjaftueshme për t’i hapur rrugë formimit të Gjykatës Speciale.