Kosovë, oferta e mazhorancës për daljen nga kriza politike
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi i kanë paraqitur presidentes Atifete Jahjaga propozimet e koalicionit qeveritar për të gjetur zgjidhje politike për dalje nga kriza.
Top Channel ka mësuar nga burime brenda kabinetit qeveritar dhe atij të presidentes Jahjaga se Mustafa dhe Thaçi kanë propozuar që për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe të respektohet ai, derisa çdo pikë e marrëveshjes kanë thënë se do të jetë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës edhe kur të hartohet statuti i Asociacionit.
Ndërsa për demarkacionin me Malin e Zi, Mustafa dhe Thaçi kanë propozuar që nëse dëshiron opozita, marrëveshja mund të shkojë në arbitrazh ndërkombëtar, pasi për këtë, ata kanë pajtueshmëri edhe nga qeveria në Podgoricë. Mësohet se koalicioni qeveritar ka ofruar mundësi të përfshirjes së përfaqësuesve të opozitës në ekipet e bisedimeve me Serbinë, në vazhdim të procesit të dialogut.
Krahas propozimeve të koalicionit qeveritar, gjatë kësaj jave presidentja ka marrë nga liderët e subjekteve opozitare edhe kërkesat e tyre, të cilat janë tërheqja e qeverisë prej marrëveshjes me Serbinë dhe asaj me Malin e zi, dërgimi i marrëveshjeve në referendum, apo vajtja në zgjedhje të parakohshme. Tani që presidentja i ka para vetes tri kërkesat e opozitës dhe alternativat që i kanë dhënë përfaqësuesit e qeverisë, ajo pritet që javën e ardhshme të synojë uljen e palëve në tryezë të përbashkët, për të bërë përpjekje për gjetjen e një marrëveshjeje për daljen nga kriza.
/ Top Channel