Kosovë, opozita peticion kundër “Zajednicës”
Në të gjitha qytetet e Kosovës nis sot nënshkrimi i “peticionit kundër marrëveshjes së datës 25 gusht 2015 për Asociacionin/Zajednicën e komunave me shumicë serbe”, organizuar nga tre subjektet politike opozitare,VV, AAK e Nisma, liderët e të cilave, Visar Ymeri, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, së bashku do e firmosin në mesditë në sheshin kryesor të kryeqytetit, Prishtinës.
Opozita, e cila shprehet me fjalën serbe “Zajednica” që në shqip do thotë “Bashkësi”, ka bërë edhe një deklaratë të përbashkët kundër “bosnjëzimit të Kosovës”, ndërsa dje edhe ka protestuar në Kuvend dhe ka bllokuar e ndërprerë seancën e parë të sesionit vjeshtor me kërkesë që mos të shtyhet “raportimi i qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me marrëveshjet e arritura në Bruksel më 25 gusht 2015”, i cili ishte në axhendë derisa mungonin raportuesit.
“Do të veprojmë si opozitë e bashkuar në qëndrime dhe veprime si brenda ashtu edhe jashtë Kuvendit dhe në këtë ftojmë të bashkohemi të gjithë zërat opozitarë, për t’i ndalur të gjitha dëmet që i vijnë Kosovës nga ky koalicion qeverisës, qofshin ato politike apo ekonomike”, paralajmëron deklarata.
“Partitë opozitare do të heqin dorë nga protestat për rrëzimin e qeverisë nëse kjo e fundit anulon ‘Zajednicën’, në të kundërtën do të bien edhe ekzekutivi, edhe marrëveshja”, ka deklaruar sot për shtypin në Prishtinë kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.