Kosovë-OSBE: Bashkëpunimi rajonal, vendimtar për të luftuar krimin e organizuar
Misioni i OSBE-së në Kosovë në njoftimin e dërguar sot thekson se pjesëmarrësit u zotuan se do të rrisin efikasitetin në luftimin e krimit të organizuar duke përmirësuar shkëmbimin e informatave të inteligjencës kriminale dhe duke bërë trajnime e hetime të përbashkëta.
“Duket se njerëzit e përfshirë në tre sektorët kryesorë të krimit të organizuar, trafikim me qenie njerëzore, narkotikë dhe armë, bashkëpunojnë të papenguar nga paragjykimet etnike, dallimet politike dhe procedurat burokratike”, tha Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
“Prandaj, bashkëpunimi rajonal është bërë vendimtar për të luftuar krimin e organizuar në mënyrë efektive dhe të suksesshme. Sa më shumë që bashkëpunojmë dhe shkëmbejmë informata dhe material të inteligjencës, ne do të bëhemi më efektivë në ndjekjen e kriminelëve”, theksoi Schlumberger.
Konferenca është vazhdimësi e përpjekjeve të OSBE-së për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal dhe për të rritur efikasitetin e agjencive për zbatim të ligjit.
Që nga viti 2009, OSBE ka ndihmuar institucionet e Kosovës të hartoj strategjitë dhe planet e veprimit kundër krimit të organizuar, terrorizmit, narkotikëve, dhe vazhdon t’i ndihmojë në zbatimin e tyre.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.