Kosovë, propozohet ulja me 8 % e TVSH-së për produktet dhe shërbimet bazike
Ministria e Financave të Kosovës ka propozuar që norma e TVSH-së prej 16 për qind të zvogëlohet në 8 për qind për mallrat elementare si buka, kripa, vaji si dhe për disa mallra dhe shërbime që kanë çmime të rregulluara siç është energjia, ngrohja dhe furnizimi me ujë.
Sipas KosovaPress,këto ndryshime do të bëhen me qëllim, përmirësimin e klimës së biznesit dhe lehtësimin e jetesës së qytetarëve.
Avdullah Hoti, ministër i Financave, prezantoi sot para përfaqësuesve të biznesit dhe shoqërisë civile ndryshimet ligjore të projektligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, projektligjin për të ardhurat personale dhe projektligjin për tatimin në të ardhurat e korporatave.
“Propozimi është që normën 16 % ta ulim në 8 % për mallrat elementare si buka, kripa dhe vaji edhe për disa mallra dhe shërbime që kanë çmime të rregulluara siç është energjia, ngrohja dhe furnizimi me ujë. Unë pres që kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë të ndikoj në standardin e jetesës sidomos të familjeve me të ardhura të ulëta, pasi vlerësimet tona janë që të gjitha familjet që janë nën pragun e varfërisë dhe që janë me asistencë sociale, gjysmën e të ardhurave të tyre mujore e shpenzojnë për këto mallra elementare”, tha Hoti, duke paralajmëruar se TVSH do të rritet në 18 % për të gjitha mallrat e tjera.
Ai po ashtu ka thënë se ndryshim tjetër shumë i madh do jetë heqja e TVSH-së për makineritë prodhuese të linjave të prodhimit. Sipas tij, do të ketë ndryshime edhe në ligjet mbi të ardhurat në korporata dhe në të ardhurat personale.