Kosovë: Qeveria e pakicës, qeveri stabile?
Partitë opozitare në Kosovë po kërkojnë një datë për zgjedhje të parakohshme. Në të kundërtën ato do të iniciojnë një mocion për rrëzimin e qeverisë Haradinaj. Opozita thotë se qeveria Haradinaj është qeveri e pakicës. Dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosja janë deklaruar se ato do të nisin procedurat për “rrëzimin” e qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Pas largimit të listës “Srpska” nga koalicioni qeverisës, qeveria Haradinaj sipas opozitës është qeveri e pakicës dhe si e tillë ajo duhet rrëzuar. Koalicioni qeverisës me kryeministër Ramush Haradinaj kishte 62 vota në parlament, mirëpo pas daljes së Listës Srpska nga qeveria, ky koalicion tash numëron vetëm 52 deputetë nga 120 sa ka gjithsej Parlamenti i Kosovës.
Lista Srpska doli nga koalicioni qeverisës pas arrestimit 10 ditë më parë dhe dëbimit nga Kosova të shefit të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Zyrtarë të LDK-së kanë thënë se kjo parti është dakord që të ketë një marrëveshje me të gjitha partitë politike për ta caktuar datën e zgjedhjeve të parakohshme, ose do të ketë mocion për mosbesimin e qeverisë Haradinaj.
“Nëse partitë politike nuk dakordohen për caktimin e një date për zgjedhje të reja parlamentare, atëherë LDK-ja do të iniciojë mocion për rrëzimin e Qeverisë. Është e rëndësishme që zgjedhjet të mos mbahen me ngut brenda 30 ditëve. Nëse kjo nuk ndodh ne jemi të obliguar që ta çojmë përpara mocionin. LDK-ja është e gatshme për zgjedhje dhe partitë e tjera të mos dyshojnë në këtë”, deklaroi në një konferencë të rregullt për mediet shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdulllah Hoti.
Haradinaj: Qeveria funksionon normalisht
Ndërkohë, kryeministri Ramush Haradinaj, që është partner në qeveri me Partinë Demokratike të Kosovës të drejtuar nga Kadri Veseli, thotë se “qeveria e tij është stabile dhe po funksion normalisht”.
“Përveç Kadri Veselit, vendin në zgjedhje mund ta çojë edhe ndonjë krah opozitar, por për këtë i duhet ndihma e ndonjë subjekti në pushtet. E ata që janë në pushtet nuk e kanë vullnetin për zgjedhje”, është shprehur kryeministri Ramush Haradinaj, duke hedhur poshtë mundësinë që të bjerë qeveria e tij.
Mirëpo me këtë deklaratë të Haradinajt shprehet i habitur shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.
“Unë po çuditna kur e thonë se qeveria është stabile, në kushte normale ata duhet menjëherë të dalin para Kuvendit dhe të japin dorëheqje. Qëndrimi i kryesisë së LDK-së është vendim që vendi nuk duhet të qeveriset nga kjo qeveri e pakicës dhe as temat e mëdha nuk mund të adresohen nga kjo qeveri, njëjtë siç është dialogu me Serbinë”, është shprehur Avdullah Hoti.
Lëvizja Vetëvendosja: “Qeveria Haradinaj ka rënë moralisht”.
Këtë qëndrim të LDK-së e mbështet partia tjetër opozitare Lëvizja Vetëvendosja, e cila thotë se “qeveria Haradinaj ka rënë moralisht”.
“Shtimi i madh i posteve qeveritare dhe rritja e pagave vetvetes, diskreditimi i arsimit tonë dhe rritja e papunësisë, demarkacioni, e deri te dëbimi tinëz, në shkelje të ligjit e të drejtave të njeriut i gjashtë shtetasve turq, përgjegjësinë për të cilin nuk po e merr asnjë institucion i Kosovës, janë vetëm disa prej arsyeve pse kjo qeveri e shtrenjtë duhet të largohet”, shkroi në profilin e tij facebook lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosja është për zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më parë dhe për mocion për rrëzimin e qeverisë.
“Shumica dërmuese e popullit dhe shumica e deputetëve të Kuvendit janë në opozitë me këtë qeveri. Mbetja e kësaj qeverie në pushtet është dhunim i demokracisë qytetare e parlamentare, i vullnetit të popullit e i interesit të përgjithshëm”, shkroi Albin Kurti.
Krahu tjetër që u nda nga Lëvizja Vetëvendosja dhe formuan grupin e pavarur parlamentar (GDP) me 12 deputetë, akoma nuk janë deklaruar qartë nëse do ta mbështesin mocionin e mundshëm për rrëzimin e qeverisë. Dardan Sejdiu, shef i këtij grupi parlamentar thotë se “përderisa nuk ka nismë në parlament për rrëzimin e qeverisë, por flitet vetëm në medie, nuk mund të marrin ndonjë vendim se a do ta përkrahin apo jo një mocion të mundshëm mosbesimi kundër Qeverisë Haradinaj”.
E nga ana tjetër Lista Srpska që publikisht është deklaruar se ka dalë nga koalicioni qeverisës nuk janë deklaruar nëse do t’i bashkohen ndonjë nisme për rrëzimin e qeverisë Haradinaj.
Analistët: Qeveria Haradinaj e ka të vështirë të mbijetojë
Analistët politikë nga ana e tyre thonë se qeveria Haradinaj e ka të vështirë të mbijetojë, sepse koalicioni qeverisës është i brishtë dhe nuk mund t’i shtyjë përpara shumë procese të rëndësishme, sepse nuk e ka shumicën në Kuvend.
“Më mirë do të ishte që në zgjedhje të shkohet me marrëveshje dhe Kuvendi i Kosovës ta shpërndajë vetveten me dy të tretat e votave dhe zgjedhjet të mbahen brenda muajit qershor të këtij viti. Zgjedhjet do të sillnin raport të forcave politike sigurisht edhe deputetë të rinj dhe në këtë bazë edhe koalicion më të madh qeverisës me kryeministër prej partisë fituese. Duket që nisma e LDK nuk do t’i marrë votat e nevojshme për të votuar mosbesimin e Qeverisë Haradinaj edhe me përkrahjen e VV ose grupit të Deputetëve të pavarur pa pasur përkrahjen edhe të ndonjë prej partive që janë në pushtet”, thotë për DW analisti politik Ramush Tahiri.
Për momentin qeveria Haradinaj ka 52 vota në parlament, por nga ana tjetër partitë opozitare nuk i kanë akoma të garantuara 61 vota për ta rrëzuar qeverinë Haradinaj, me të cilat, në bazë të ligjit për zgjedhjet vendi do të shkonte automatikisht në zgjedhje të parakohshme. Kosova në vitin 2017 mbajti dy palë zgjedhje, të përgjithshmet në qershor dhe ato për pushtetin komunal në tetor.