Kosovë, qeveria gati për Specialen. Të premten mblidhet ekzekutivi
Qeveria e Kosovës ka thirrur një mbledhje për të premten për të riproçeduar në Kuvend projekt-amendamentet kushtetuese për formimin e Gjykatës Speciale.
Sipas një komunikate për shtyp, qeveria do të miratojhë edhe projektligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar në proceset gjyqësore pranë kësaj gjykate.
Riproçedimi në Kuvend, si dhe miratimi i këtyre amendamenteve kushtetuese, sipas njoftimit të qeverisë, është një hap me rëndësi të posaçme për Kosovën në procesin e përmbushjes së detyrimeve që ajo ka marrë ndaj partnerëve ndërkombëtarë.
Komunikata i referohet këtu aprovimit në Kuvend, me dy të tretat e votave, të letërkëmbimit të presidentes Atifete Jahjaga dhe baroneshës Catherine Ashton, vitin e kaluar.
“Përmbushja e detyrimeve ndërkombëtare nga ana e Republikës së Kosovës në këtë drejtim, në asnjë mënyrë nuk e konteston luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nuk do të cënojë vlerat e luftës së popullit të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Në të sqarohet se, përmbushja e këtij detyrimi nga institucionet do të jetë në shërbim të zbardhjes së drejtësisë për dyshimet individuale që mund të lidhen me këtë proces dhe do të jetë një hap i rëndësisë së veçantë për proceset integruese euroatlantike.
“Gjithashtu, ajo do të jetë në shërbim të plotë të fuqizimit të mëtejshëm të partneritetit strategjik të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian”, vijon komunikata.
Pas këtij riproçedimi, Kuvendi i Kosovës javën e ardhshme do të thërrasë seancën për të votuar edhe njëherë amendamentin kushtetues për Specialen.