Kosovë/ Reshjet e dëborës, masa sigurie në trafik
Në Kosovë janë dendësuar sot reshjet e dëborës, ndërkohë që po merren në vazhdimësi masa shtesë për përforcimin e shërbimeve të Policisë së Komunikacionit Rrugor në të gjitha akset.
Policia e Kosovës bën të ditur se përmes planeve konkrete ka caktuar njësi policore të komunikacionit rrugor, të cilat ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme në rrugët urbane dhe në ato rajonale, për ngritjen e nivelit të sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve të trafikut.
Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor si dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike gjatë drejtimit të automjeteve, sepse tani reshjet ndikojnë në zvogëlimin e dukshmërisë në rrugë e në disa akse mund të paraqiten vështirësi në qarkullimin sidomos në orët e vona dhe ato të hershme kur mund të paraqiten edhe ngrica.
Gjendja aktuale e rrugëve rajonale, urbane dhe në të gjitha rajonet, në aspektin e përgjithshëm vlerësohen të kalueshme, por në disa akse janë paraqitur vështirësi për qarkullim ndaj kërkohet dhe njëherësh apelohet për kujdes më të shtuar. Po ashtu, pajisjet dimërore janë të nevojshme.
Rruga Pejë – Kullë – Rozhajë, nga Kosova në Mal të Zi, është e kalueshme për automjete të lehta, por pajisjet dimërore janë të domosdoshme, kurse për automjete të rënda është momentalisht e pakalueshme.
Rruga rajonale Prishtinë –Mutivodë, drejt kufirit me Serbinë, është vështirësuar, por e kalueshme.
Nga Mitrovica Veriore bëhet e ditur se rrugët rajonale dhe lokale janë të kalueshme por me vështirësi, si edhe rrrugët nga Gjilani për në Novobërdë e Muqibabë, në rajonin lindor të Kosovës.