Kosovë, rezolutë në Kuvend për ndalimin e bixhozit

Kuvendi i Kosovës po mban një seancë të jashtëzakonshme këtë të premte, me temë kryesore të rendit të ditës kazinotë dhe lojërat e fatit. Nismëtari i kësaj seance, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti shprehet se kazinotë nuk duhen lejuar të “ushqejnë” krimin.

“Shteti i Kosovës duhet të mbrojë qytetarët, mirëpo është për të ardhur keq, që institucionet reagojnë vetëm pas ngjarjeve tragjike. Në Kosovë ekzistojnë 1.645 aparate të licencuara të lojërave të fatit. Nuk duhet të lejojmë që kazinotë të ushqejnë krimin, e lojërat e fatit të përcaktojnë fatin e individëve dhe të familjeve tona”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se deputetët e kanë për detyrim ta trajtojnë me urgjencë këtë problem.

Hoti, në emër të deputetëve nënshkrues për këtë seancë, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të miratojë rezolutën që përmban dy pika: Pezullimi i menjëhershëm i aktivitetit të të gjitha kazinove dhe lojërave të fatit, deri në ndryshimin e ligjit; si dhe mandatimi i Komisionit për Buxhetin dhe Financat që të nisë procedurat për nxjerrjen e ligjit të ri, që i ndalon të gjitha llojet e kazinove dhe lojërave të fatit për një periudhë 10-vjeçare.

Hoti ka kërkuar nga deputetët që të mbështesin këtë rezolutë, si dhe ka kërkuar që të mos ketë debat parlamentar për këtë çështje, për shkak të ndjeshmërisë që pati rasti i vrasjes së dy të rinjve.

Mbështetje për këtë rezolute kanë dhënë edhe deputetët e PDK-së. Shefi i grupit parlamentar të tyre, Memli Krasniqi ka thënë se kanë rënë dakord që të mbështesin thirrjen e seancës dhe tekstin e rezolutës së propozuar.

“Në emër të grupit parlamentar të PDK-së shpreh mbështetjen për këtë rezolutë, e po ashtu mbështesim mocionin që të kalohet drejtpërdrejt në votim të rezolutës pa pasur debat”, ka thënë Krasniqi.

Edhe Glauk Konjufca nga Vetëvendosja ka ofruar mbështetjen e tij, pavarësisht akuzave që pati lidhur me kazinotë, duke thënë se këto vende përdoren për pastrim parash dhe se janë të lidhura me njerëzit e fuqishëm në pushtet.

“Edhe pse me vonesë, është mirë që po flasim për këtë temë. Mirëpo ana e keqe është që ne po flasim vetëm kur njerëzit humbin jetën. Është mirë që kjo të përmbyllet me këtë rezolutë, është e domosdoshme që të ndodhë”, ka thënë Konjufca.

Nisma mbështetet edhe nga Partia Socialdemokrate e deputetëve ish-anëtarë të Vetëvendosjes, sikurse edhe “Nisma” e Limajt.

SHKARKO APP