Kosovë-Serbi, analistët flasin për rinisjen e bisedimeve për marrëveshje

Linja ajrore Prishtinë-Beograd dhe vizita në të dy vendet e ambasadorit, Richard Grenell, i dërguar i Posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump, e bëjnë legjitime pyetjen nëse po krijohen kushtet për rifillim të dialogut Kosovë-Serbi, i bllokuar që nga vjeshta e vitit 2018.

Për analistin Rasim Alija, kjo është mundësi për rifillim të dialogut, por një problematikë nuk ndihmon.

“Ka sinjale për rifillim të dialogut Kosovë-Serbi. Ajo çfarë është goxha e komplikuar dhe shihet si problematike, është krijimi i Qeverisë në Republikën e Kosovës. Kjo do të mund të zgjidhte një nyje sa i përket rifillimit të dialogut. Mbi të gjitha, ende skena politike në Kosovë, edhe Lëvizja Vetëvendosje, edhe Lidhja Demokratike, edhe opozita, janë të paqarta rreth pozicioneve të tyre lidhur me dialogun Kosovë-Serbi”, thotë Alija.

Tjetër situatë është se partitë politike në Kosovë nuk kanë platformë si t’i qasen dialogut me Serbinë dhe dikush tjetër rikthehet në terren.

“Mund të forcohet pozita e presidentit në dialogun Kosovë-Serbi. Kjo mund të jetë goxha e komplikuar dhe për vetë rrjedhën e dialogut Kosovë-Serbi, sepse mund t’i lë terren presidentit që ai të jetë në krye të dialogut Kosovë-Serbi, përderisa në vend LDK dhe LVV po tentojnë të arrijnë koalicionin, zoti Thaçi veç ka filluar një fushatë lidhur me dialogun. Takimet e tij, edhe takimet me zotin Grenell, edhe pjesëmarrja në konferenca të caktuara shihet si forcim i pozitës së presidentit në aspektin e dialogut Kosovë-Serbi”, shton Alija.

Për Eugen Cakollin e Institutit Demokratik të Kosovës, dialogu me Serbinë praktikisht ka rifilluar. Dimensioni i ri që sjellin amerikanët është futja e elementit të zhvillimit ekonomik, i cili mund të jetë garanci më e fortë për sukses në marrëveshje.

“Për kundër deklarimeve, veçanërisht nga pala serbe, se dialogu nuk do të vazhdojë pa heqjen apo pezullimin e taksës ndaj mallrave të tyre dhe të Bosnje Hercegovinës, tashmë kemi parë praktikisht që dialogu veçse ka rifilluar ndonëse lidhur me çështje edhe në përmasa më të vogla se sa që është pritë. Ndërhyrja amerikane në këtë drejtim, dhe involvimi i tyre i drejtpërdrejtë në arritjen e marrëveshjeve në mes të dy vendeve është impuls tejet pozitiv për procesin e dialogut, duke qenë se nëse merret parasysh nënshkrimi i marrëveshjes së fundit me ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell në Berlin, atëherë është më se evidente që kjo marrëveshje është negociuar nga dy qeveritë”, thotë Cakolli.

Por për dialog duhet qeveri në këmbë.

“Me krijimin e qeverisë do të krijoheshin të gjitha kushtet për vazhdimin e dialogut, dhe duke i marrë parasysh deklarimet e këtyre dy subjekteve politike, atëherë pres që taksa të hiqet porsa të krijohet qeveria që do t’i hapte rrugë si veprim edhe vazhdimit të procesit të dialogut dhe diskutimeve për çështje të ndryshme në të cilat tashmë është vetëm qeveria në dorëheqje dhe në raste të tjera edhe presidenti si i vetmi institucion apo mandatar kushtetues për të zhvilluar negociata duke qenë se institucionet e tjera nuk është se janë tërësisht funksionale”, thotë ai.

Ariana Qosaj njohëse e situatës në vend, thotë se pa formimin e qeverisë së re të Kosovës nuk mund të ketë vazhdim të dialogut.

“Duhet të ketë gjithëpërfshirje për arsye se e marrim shembull këtë marrëveshjen për linjën ajrore, e cila në fakt pati një përkrahje prej presidentit dhe kryeministrit në largim, mirëpo në anën tjetër kjo nuk është marrëveshje e cila duhet të votohet në Kuvend domosdoshmërisht, edhe pse flet për hapësirë ajrore. Por në anën tjetër ne në marrëveshje me Serbinë e cila duhet të jetë afatgjate, do të duhej të kishte gjithëpërfshirje, sepse duhet ta ketë së paku dy të tretën e shumicës së votave në Kuvend, dhe pa atë gjithëpërfshirje nuk mund të kemi lëvizje përpara”, deklaroi Qosaj.

Ditë më parë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi se në bisede me përfaqësuesin e lartë për politikë të Jashtme dhe Siguri të BE, Josep Borrell, kanë shprehur nevojën për vazhdimin e e pakushtëzuar të dialogut dhe për arritjen e marrëveshjes përfundimtare që nënkupton njohje reciproke. Ndërsa i dërguari i Posaçëm amerikan, Grenell deklaroi se Serbia duhet ta ndalë fushatën e egër kundër pavarësisë së Kosovës, dhe Kosova duhet të heq taksën.

SHKARKO APP