Kosovë-Serbi, para raundit të 26 të dialogut kryeministror, grupet e punës në Bruksel
Në Bruksel nesër pritet raundi i 26 i dialogut në nivel të lartë kryeministror Kosovë-Serbi.
Deri tani në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, në Bruksel tashmë janë zhvilluar 25 raunde të dialogut Prishtinë-Beograd në nivel kryeministror, 23 mes kryeministrave të atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç dhe dy mes kryeministrave Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet.
Ndërkohë, ministrja për Dialogun në qeverinë kosovare, Edita Tahiri, është duke qëndruar në Bruksel, me ç’rast po udhëheqë grupet punuese në kuadër të dialogut të Brukselit që po zhvillohen në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian për energjinë, telekomin, barrikadën mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë dhe asociacionin e komunave serbe.
Sipas raportimeve të medias para takimit që pritet nesër, qarqet diplomatike në Bruksel pohojnë se Bashkimi Evropian do të kërkojë nga Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiçi “nënshkrimet” e tyre në marrëveshjet konkrete.
Ata nesër, më 23 qershor, do të takohen në Bruksel. Sipas njoftimeve zyrtare që gazeta e Beogradit “Danas” thotë t’i ketë, në proces do të kërkohet që më aktivisht të përfshihen edhe SHBA.
Sipas këtyre njoftimeve, transmeton Koha.net, pas bisedimeve të javës së shkuar më së afërmi te nënshkrimi janë marrëveshjet për sigurimin e automjeteve e të telekomunikacionit, edhe pse nga Beogradi thuhet se mund të “ketë momente të reja”.
Qarqe afër dialogut thonë se njëfarë marrëveshjeje mund të ketë edhe në energjetikë edhe pse çështja e pronës edhe më tej mbetet e hapur.
Bisedimet rreth marrëveshjes për telekomin në javën e shkuar kanë qenë objekt polemikash ndërmjet ekipeve negociuese.
Në Perëndim theksohet se situata nuk qëndron mirë as në negociata për formimin Asociacionit serb të komunave.
Në 21 prill, pa marrëveshje të re ka përfunduar raundi 25 i dialogut. Ndërmjetësuesja e dialogut, shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, bënte të ditur përmes një deklarate për media se dy palët kanë analizuar përparimin e bërë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog, duke vënë theksin te zbatimi i Marrëveshjes për Drejtësinë dhe fillimi i zbatimit të marrëveshjeve për Mbrojtjen Civile.
“Dy palët po ashtu kanë shkëmbyer pikëpamjet për çështjet kryesore të pazgjidhura: energjinë, telekomin dhe krjimin e Asociacionit (të komunave serbe). Në këtë drejtim, ata janë pajtuar që të ndërmerren hapa konkretë deri në takimin e ardhshëm”, thuhej në deklaratën e Mogherinit.
Para dy vitesh, në 19 prill 2013 është nënshkruar Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vlerësuar historike, e parafuar nga Thaçi e Daçiç, si dhe ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, Baronesha Catherine Ashton./k.s/