Kosovë-Serbi: Të ndërtohet autostrada Prishtinë-Nish

Dy Odat Ekonomike, ajo e Kosovës dhe e Serbisë, po kërkojnë vazhdimin e ndërtimit të autostradës Prishtinë-Nish.

Këtë qëndrim e kanë thënë për ‘Express’ dy kryetarët Marko Cadez dhe Safet Gërxhaliu, të cilët po marrin pjesë në një tur ballkanik për të promovuar bashkëpunimin tregtar mes vendeve të rajonit.

“Kam falënderim të veçantë për mikpritjen në Kosovë veçanërisht nga Presidenti Thaçi. I vetmi fokus i takimeve tona në Prishtinë ishte bashkëpunimi bilateral mes dy odave në mes tjerash pjesëmarrja në Panairin e Bujqësisë në Prishtinë dhe partneriteti i mundshëm biznesor mes kompanive nga Serbia dhe Kosova. Si dhe inkurajimi i nisjes sa më të shpejtë të projekteve infrastrukturore veçanërisht autostradës Nish-Prishtinë dhe sigurimi i përkrahjes politike dhe të bizneseve për iniciativa regjinale të bashkëpunimit, që ështëedhe arsyeja e tourit të përbashkët regjional së bashku me Kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, me vizita të nivelit më të lartë në Maqedoni, Shqipëri dhe Mal të Zi këtë jave dhe në Kroaci e Slloveni në muajin tjetër”, ka thënë Cadez.

Në anën tjetër, Safet Gërxhaliu ka thënë se do të jenë avokat të ndërtimit të autostradës Prishtinë-Nish.

“Ne jemi të përcaktuar për të vepruar në linjë me interesat tona shtetërore, pra që të shtyjmë normalizimin e relacioneve ekonomike me Serbinë dhe integrimin me të shpejtë në proceset euroatlantike, veçanërisht përmes integrimit ekonomik regjional.  Në asnjë moment temë e diskutimeve tona as në Prishtinë as në Ohër tani e në një kryeqytet tjetër nuk do të jetë forumi biznes në Nish.  Jemi të inkurajuar nga qëndrimi dhe përkrahja e Presidentit Thaçi për bashkëpunimin tonë dhe proceset e bashkëpunimit rajonal që kanë si bazë Procesin e Berlinit të nisur nga Kancelarja Merkel.  Në jemi avokatët me të mëdhenj të projektit të autostradës Prishtinë-Nish dhe projekteve tjera infrastrukturore.  Shumë me rëndësi është edhe krijimi i bazës për rritje të eksportit të produkteve tona drejt Serbisë, në drejt më atë që ka ndodh në tri vitet e fundit ku kemi një rritje për 30 për qind të eksporteve të Kosovës drejt Serbisë”, ka thënë Gërxhaliu.

Ndërkohë, Kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Çadezh është takuar edhe me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

Sipas njoftimit të Presidencës, Cadez e ka informuar Presidentin Thaçi për punën e Forumit të Investimeve të Odave të Ballkanit Perëndimor për të kontribuar në “Procesin e Berlinit” me projekte për bashkëpunim rajonal.

“Kemi bërë bashkë ekspertë të ndryshëm që të japin zgjidhje për problemet e ndryshme praktike, siç është telekomunikimi, shërbimet postare”, u shpreh Çadezh, i cili shtoi se po punohet në njësimin e certifikatave të prodhimeve të shteteve të Ballkanit Perëndimor për të lehtësuar qarkullimin e mallrave.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Gërxhaliu, u shpreh se në thelb të kësaj nisme është angazhimi që nëpërmjet dialogut të hiqen barrierat e bashkëpunimit në mes ekonomive të Ballkanit Perëndimor e më gjerë.

“Kështu do të përmirësojmë reputacionin e Kosovës por edhe të tërë rajonit, duke i bërë vendet tona më atraktive për investitorët e huaj”, ka thënë Gërxhaliu, duke sqaruar se kompanitë e mëdha botërore e shohin tërë rajonin si një treg të vetëm.

Presidenti Thaçi e mirëpriti punën e odave ekonomike të rajonit dhe u shpreh se “zakonisht, ekonomia ecën më shpejt se politika”.

“Është koha për një faqe të re në bashkëpunimin e tërë rajonit”, theksoi presidenti Thaçi.

“Do të keni gjithmonë përkrahjen tonë për projektet tuaja për të promovuar bashkëpunimin”, ka thënë presidenti Thaçi, duke përfunduar se “kemi shumë sfida, por e rëndësishme është që të mos ndalemi”.

SHKARKO APP