Kosovë-SHBA, Kuvendi ratifikon Marrëveshjen Fulbright

Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme plenare, ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës, Programi Fulbright i Shkëmbimit Akademik, i cili mundëson bursa studimore për studentët nga Kosova në SHBA.

Miratimin e kësaj marrëveshje e përshëndeti kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, duke e konsideruar atë të një rëndësie të veçantë për të rinjtë e Kosovës. “Fulbright kaloi. Studentët dhe studiuesit tanë, do të kenë mundësi të studiojnë në Universitetet më prestigjioze amerikane, përmes bursave gjatë pesë viteve të ardhshme, falë marrëveshjes Fulbright mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo marrëveshje, do të thotë shumë për bashkëpunimin dhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara, për të rinjtë tanë, të cilët pas shkollimit kthehen dhe japin kontribut në shtet-ndërtimin e Kosovës”, tha kryparlamentari Veseli.

Projektligjin e prezantoi ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i cili para deputetëve ka sqaruar aspekte përmbajtësore të tij.

Në 8 korrik 2016, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë nënshkruajti Memorandumin e Mirëkuptimit me qeverinë e Kosovës për programin Fulbright, në një ceremoni në Bibliotekën Kombëtare, ku morën pjesë edhe kryeministri Isa Mustafa e kryeparlamentari Kadri Veseli. Ky Memorandum i Mirëkuptimit po vijon mbi bazat e një programi të vazhdueshëm dhe të suksesshëm të shkëmbimit akademik që ka përfshirë mbi 80 studentë dhe studiues nga Shtetet e Bashkuara dhe Kosova prej vitit 2008.

 

SHKARKO APP