Kosovë-Shqipëri, asnjë nga 50 marrëveshjet nuk është zbatuar

6 mbledhje të përbashkëta qeverish Shqipëri –Kosovë , 50 marrëveshje të nënshkruara dhe asnjë e zbatuar.

Pavarësisht premtimeve të shumta ky është bilanci i arritur nga dy shtetet shqiptare.

Biznesi shqiptar mbetet i zhgënjyer nga kjo situatë.

Sekretari përgjithshëm i prodhuesve shqiptarë, Arben Shkodra deklaron se çdo ditë vijojnë të hasin pengesa të shumta tregtare ndërsa pika e përbashkët doganore në Durrës ende nuk është bërë efektive .

“Duhet patjetër të kemi një llogaridhënie. Pra nga 50 e kusur marrëveshje çfarë nga këto marrëveshje kanë filluar, cilat kanë përfunduar dhe ato që nuk kanë përfunduar arsyeja pse nuk kanë përfunduar.

Nëse pyet biznesin vijon të ketë probleme, vështirësi, pengesa me barriera tarifore e jotarifore në lidhje me Kosovën. Vazhdon të ketë një perceptim jo të mirë edhe të konsumatorit sa i përket produkteve të anasjellta që do të thotë kemi bërë shumë efekt mediatik e butafori dhe kemi arritur shumë pak”, shprehet Shkodra.

Pavarësisht marrëveshjeve dy vendet tona ende nuk kanë arritur një njohje reciproke të certifikatave për prodhimet e madje i ndajnë edhe taksat siç është ajo e rrugës e Kombit.

“Marrëveshje që duhet të garantonin harmonizimin të procedurave ,të akreditimeve, harmonizimin e certifikimeve, harmonizimin e dokumentacionit të përbashkët. Janë një sërë marrëveshjesh që janë bërë më parë, është edhe harmonizimi i proceseve doganore dhe i procedurave doganore që nuk janë zbatuar”, thekson më tej ai.

Çfarë mallrash eksportojmë ne drejt Kosovës? Materialet e ndërtimit dhe ushqimet mbajnë peshën kryesore të produkteve që ne shesim në tregun Kosovar por bizneset shprehen se përsëri ky nivel është shumë i ulët.

“Ka një rritje, por nuk është në nivelet që kishim shpresuar dhe arsyeja është se këto marrëveshje që qëndrojnë dhe nuk zbatohen, nuk detajohen dhe nuk krijojnë rrugë të lirë në mënyrë që sipërmarrësit të bëjnë atë që bëjnë më mirë”, tha ai.

Në mbledhjen e radhës së dy qeverive do të nënshkruhen marrëveshje për Zbatimin e Lehtësirave të Ndërsjella në Procedurat Doganore të Kontrollit të Hyrje-Daljeve të Mallrave, Bashkëpunim në fushën e transportit hekurudhor,marrëveshje për shmangien e Tatimit të dyfishtë mbi të Ardhurat dhe mbi Kapitalin si dhe për Parandalimin e Evazionit Fiskal,marrëveshje për punësimin dhe Krijimi i Korridorit Digjital 5G./abcnews.al/

SHKARKO APP