Kosovë-Shqipëri, bashkëpunimi ekonomik është simbolik
Kurse, sipas të dhënave të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, nga viti 2005 deri në vitin 2013, shuma e përgjithshme e importeve nga Shqipëria në Kosovë ka arritur mbi 581 milionë euro, kurse eksporti nga Kosova në Shqipëri kap shumën mbi 235 milionë euro.
Numri ikompanive nga Shqipëria të regjistruara në Kosovë është 689 kurse numri i të punësuarve të deklaruar është mbi 3000.
Ndërkaq, numri i bizneseve kosovare që operojnë në Shqipëri është afër 400.
Vlera e investimeve direkt nga kompanitë më pronarë shqiptar të Shqipërisë në Kosovë është 104 milionë euro.
Ekspertët e çështjeve ekonomike konsiderojnë se nëse merren për bazë shifrat në mes dy shteteve vërehet një rritje e vazhdueshme e shkëmbimeve tregtare, por në strukturën e këtyre shkëmbimeve nuk ka ndonjë përmbajtje që identifikon ndonjë ofertë të begatshme.
Ibrahim Rexhepi, udhëheqës i Qendrës për Hulumtime dhe Studime “STRAS”, për Radion Evropa e Lirë thotë se nuk ka forma të qarkullimit të kapitalit, investimeve të ndërsjella por në shumicën e rasteve te shkëmbimet tregtare eksport – import dominojnë metalet, respektivisht hekuri mbeturinë.
“Sado që duket që numri i kompanive të Kosovës në Shqipëri apo e kundërta është i madh, më shumë është shifër që mashtron se sa prezanton realitetin e vërtetë. Me qenë se janë ndërmarrje të vogla nuk kanë ndonjë qarkullim dhe shpesh janë fiktive. Kështu që krejt ky bashkëpunim pa marrë parasysh betimeve qeveritareve, nënshkrimeve të dokumenteve nuk ka ndonjë nivel të avancuar”, thekson Rexhepi.
Bashkëpunimi në mes Kosovës dhe Shqipërisë ekziston vetëm në aspektin politik, kurse në aspektin ekonomik paraqiten barriera të ndryshme, konsideron eksperti tjetër për çështje ekonomike, Milazim Abazi.
Sipas tij, mungon vullneti politik i të dy qeverive që të rritet bashkëpunimi ekonomik.
“Edhe qeveria e Shqipërisë por edhe ajo e Kosovës duhet të punojnë më shumë të hiqen barrierat formale që kanë në mes vete. Ne duhet të krijojmë patjetër një zonë të lirë doganore në mes Prishtinës dhe Tiranës zyrtare dhe t’i shkrijmë kufijtë ekonomikë në mes vete”, thekson Abazi.
Ndërkaq, Ibrahim Rexhepi thotë se shkak i moszhvillimit të këtij integrimi ekonomik mbeten barrierat doganore në mes këtyre dy shteteve.
Ai thotëse ambienti i biznesit duhet të jetë i njëjtë si në Prishtinë po ashtu edhe në Tiranë, madje sipas tij, duke eliminuar të gjitha barrierat administrative, doganore dhe jo doganore.
“Meqenëse për kundër të gjitha këtyre ‘mrekullive’ që flasin qeveritë e të dyja vendeve, ne kemi rastin kur bllokohen mallrat e Kosovës në rrugëtim të Shqipërisë apo edhe e kundërta. Çka do të thotë se nuk mjafton vetëm vullneti dhe deklarimi por duhet shumë në mënyrë operative të iu qasemi këtij problemi”, shprehet Rexhepi.
Autostrada Durrës – Kukës – Morinë që lidh Kosovën me Shqipërinë, e quajtur Ibrahim Rugova, ka lehtësuar qarkullimin e mallrave nga të dyja palët./REL