Krasniqi: Shqiptarët janë aty ku do dëshironin armiqtë tanë
Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë se është interesant fakti se edhe tani “pas më shumë se 17 viteve pas lirisë dhe më shumë se tetë viteve të pavarësisë së Kosovës”, shqiptarët janë aty ku do ta dëshironin vetëm armiqtë tanë.
Ky reagim i Krasniqit përmes një postimi në Facebook vjen në lidhje me akuzat dhe kundër akuzat mes zyrtarëve dhe publicistëve të Kosovës dhe Shqipërisë, që janë duke u zhvilluar pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Serbi.
Lexojeni të plotë postimin e Krasniqit:
“BASH PËR ARMIK”
Si fëmijë me ka rënë të dëgjoj shumë herë nga gjyshet e nënat tona një shprehje: “Bash për armik”! E sot për çka mund të thuhet kjo? Kjo mund të thuhet për mënyrën sesi janë duke debatuar, disa grupe të shqiptarëve të lidhura me majat e pushtetarëve te Shqipërisë e të Kosovës.
Këto “maje”, pasi e bënë “skllotë”, e morën mundin që ta pinë ndonjë kafe, bënë ndonjë selfije dhe dhanë ndonjë intervistë televizive për të treguar sesa shqiptaromadh ishte njeri ne një kohë tjetër, padyshim të lavdishme?! E gjithë kjo ndodhi pasi njeri nga ata i dha zjarr, kombëtarizmit kosovar në futboll?! E gjithë shqiptarizmit në televizion?!
Është interesant edhe tani pas më shumë se 17 viteve pas lirisë e më shumë se tetë viteve të pavarësisë, shqiptarët janë aty ku do ta dëshironin vetëm armiqtë tanë. Ndonjëri nga armiqtë, ndoshta edhe më të drejtë është trimëruar! Kërcënimet e tyre janë dëshmi e kësaj që thamë. Pra i kemi punët bash ashtu siç nuk do ta dëshironte asnjë shqiptar i mirë apo mik i yni. A nuk i kemi punët “bash për armik”?!
Kjo gjendje më shumë se kaotike i shtyri disa politikanë opozitarë në Shqipëri që e shtruan nevojën e pavarësimit të Kosovës nga Shqipëria?! Sikur vetëm kjo po na mungonte?!
Eh, çka mund të thotë mendja racionale në situata të tilla? Ndoshta për të thënë atë që mund ta thotë njeriu në situata të tilla, duhet të kërkojë ndihmë nga një fjalë arabe.
Inshalla, Republika e Kosovës është e pavarur nga ato shtete që duhet të jetë e tillë, sa është e PAVARUR nga Shqipëria!
Pa dyshim, jo vetëm në rrafshin qe u tha i kemi punët “bash për armik”!.