Kreu i veteranëve, Xhevdet Thaçi: UÇK-ja nuk kishte baza keqtrajtimi në Has

Kreu i veteranëve të UÇK-së për zonën e Shqipërisë ka mohuar akuzat se dikur vendi ka strehuar baza të UÇK-së për të keqtrajtuar bashkëpunëtorët e Serbisë. Pikat në Shqipëri, sipas Xhevdet Thaçit, kanë shërbyer vetëm për ruajtjen e uniformave dhe armatimeve të mundshme.

Fshati Cahan i rrethit të Hasit në Shqipëri pretendohet se dikur ka strehuar kampe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ku keqtrajtoheshin të dyshuarit si bashkepunetorë të regjimit serb.

Pretendimet që kanë për burim raportin e Këshillit të Europës të 2011-ës, u përsëritën këtë muaj në Gjykatën Speciale në Hagë ku presin gjykimin ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-bashkëpjesëtarët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Por kryetari i degës së Hasit i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Xhevdet Thaçi, i mohon akuzat.

Ai ka qenë vetë pjesë e luftës për çlirim dhe tregon se për ta baza ishin vendstrehimet e krijuara para 5 marsit 1998, e në Shqipëri të tilla pika ekzistonin vetëm për arsye logjistike e nuk janë vizituar asnjëherë fizikisht nga ish-presidenti Thaçi apo ish-kryeparlamentari Veseli.

 “Baza i kemi quajtur aty, kur në grupe të vogla kemi ardhur nga jashtë apo nga Kosova kemi dalë në Shqipëri, për ta sjellë ndonjë armë. Kanë qenë dy baza që na kanë dhënë ndonjëherë bukë dhe kemi fjetur aty dhe kanë qenë vërtetë besnik.”

Thaçi i quan të padrejta arrestimet e ish-udhëheqësve të UÇK-së, për të cilat mendon se dorë kanë pasur pa dashje edhe vetë banorët e zonave të intervistuara nga ndërkombëtarët.

Ai i përfaqëson veteranët e UÇK-së për Shqipërinë prej një viti por vëren probleme edhe brenda radhëve të

 “Në zonën tonë janë mbi 4682 veteranë dhe shumica prej tyre ose 80 për qind e tyre, statusin për të qenë veteranë e kanë blerë me pare.”

Dega e OVL-UÇK-së në Has thotë se ka kërkuar ndihmën e Prokurorisë së Kosovës, dhe ka bërë thirrje që ata që nuk e meritojnë statusin e veteranit ta dorëzojnë vullnetarisht, bashkë me pensionet e benefitet që po përfitojnë, përndryshe do publikohen emrat e tyre.

 “Kemi filmime që kur janë dhënë certifikatat, janë shitur nga 1500 euro deri në 5 mijë euro. Ligji e ndanë në tri kategori, veteranë luftëtarë, veteran pjesëtar dhe veteran pjesëmarrës, por fatkeqësia më e madhe është se këtu janë mbi 4682 në kategorinë e parë.”

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë tha në fundjavë se funksionimi i Gjykatës Speciale në Hagë është i nevojshëm për ta çuar Kosovën përpara në rrugën e saj europiane.

Sipas BE-së, Gjykata do të gjykojë vetëm individët, jo grupet etnike, organizatat apo komunitetet, dhe se institucionet e Kosovës duhet të tregojnë gatishmërinë për t’u përballur me të kaluarën.

SHKARKO APP