Krishtlindjet Ortodokse/ Pelegrinët serbë ‘heqin dorë’ nga festimet, nuk shkojnë në Gjakovë

Fotoja lart: Nga një protestë e mëhershme në Gjakovë kundër pelegrinëve serbë.

Pelegrinët serbë nuk kanë shkuar në Gjakovë, për të vizituar Kishën Ortodokse, ashtu sikurse vitet e kaluara më 6 janar. Mosshkuarjen e tyre e ka konfirmuar komandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Kristë Gjokaj.

Përmes telefonit, Gjokaj ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar për ndonjë vizitë të pelegrinëve serbë. Ai ka bërë të ditur po ashtu se dhjetëra qytetarë të Gjakovës që kishin dalë të protestojnë afër kishës, janë shpërndarë të qetë.

“Nuk ka pasur asnjë kërkesë nga pelegrinët serbë që sot të vizitojnë Gjakovën. Përderisa nuk ka pasur ndonjë paralajmërim, nuk mund të presim që do të vijnë. Ndërkohë, një grup prej 30 qytetarëve kanë protestuar afër Kishës Ortodokse”, ka thënë Gjokaj.

Edhe përfaqësuesi i Shoqatës së Personave të Zhvendosur nga Gjakova, Gjokica Stanojeviq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se qytetarët serbë të zhvendosur nga Gjakova, kanë anuluar vizitën e tyre, pasi siç ka thënë ai ishin informuar se do të kishte “tubime problematike” afër kishës.

Për arsye që ta përmbushim këtë ditë të paqes, ne hoqëm dorë edhe pse një numër i madh ishim të gatshëm të nisemi”, ka thënë ai.

Sipas tij, fajtorë pse qytetarët serbë të zhvendosur nga Gjakova, nuk mund të vizitojnë faltoret e tyre, janë udhëheqësit e dialogut Kosovë-Serbi.

Çdo vit, për festën e Krishtlindjes Ortodokse, qytetarë serbë vizitojnë Kishën Ortodokse në Gjakovë.

SHKARKO APP