Kriza politike, Pacolli autorizohet të gjejë zgjidhje edhe jashtë koalicionit LAA

Kuvendi i Përgjithshëm i AKR-së ka autorizuar kryetarin e këtij subjekti, Behxhet Pacolli që bashkë me deputetët e zgjedhur dhe kryesinë e ngushtë që për daljen e vendit nga kriza, të shoh mundësinë e gjetjes së një zgjidhje edhe jashtë koalicionit me LDK-në dhe Alternativën.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komisionit Zgjedhor në AKR, Fatmir Matoshi, pas përfundimit të kësaj mbledhje, i cili ka thënë se kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli dhe deputetët e zgjedhur e kanë pëlqimin e Kuvendit që të shohin mundësinë e gjetjes së një zgjidhje edhe jashtë koalicionit me LDK-në.

“Kuvendi i AKR-së sot autorizoj presidentin Pacolli që bashkë me deputetët e zgjedhur dhe kryesinë e ngushtë të shohë mundësi të gjetjes së daljes nga kriza në të cilën është vendi jonë, të shohë mundësi të tjera alternative jashtë koalicionit me LDK-në dhe Alternativen.

Gjithmonë duke e pasur parasysh interesin e vendit, interesin e Kosovës. Strukturat e AKR-së sot i kanë dhënë autorizimin presidentit Pacolli që bashkë me deputetët, ta lexoj që Kuvendi i AKR-së i jep pëlqim presidentit të AKR-së z.Behgjet Pacolli, deputetëve dhe kryesisë së ngushtë që të shohë mundësinë e gjetjes së një zgjidhje politike edhe jashtë koalicionit me LAA-në në mënyrë që AKR të jetë forcë politike që dëshmon që është e përgjegjshme para votuesve të saj dhe për shtetin e Kosovës”, tha ai.

Matoshi ka shtuar se ende nuk kanë ndonjë ofertë për koalicion, por thotë se kërkesë e saj ka qenë që shumica shqiptare të bëjë një qeverisje të përbashkët, në të cilën nuk do të diskutohej ‘hisja’ e AKR-së.

Ai ka shtuar se në këtë takim është diskutuar edhe për zgjedhjet lokale, ku janë disa komuna që do të garojnë më fuqishëm si subjekt politik.

Por burime të KosovaPress-it që kanë qenë brenda mbledhjes kanë bërë të ditur se para anëtarëve dhe delegatëve, kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur se tashmë janë bërë bashkë me koalicionin PAN për formim të institucioneve të Kosovës./KosovaPress/

SHKARKO APP