Kryeministri bullgar: Pa marrëveshje Serbi-Kosovë, s’ka integrim në BE

Kryeministri bullgar Boyko Borissov, deklaroi se nëse Kosova e Serbia nuk do të nënshkruajnë një marrëveshje normalizimi ndërmjet tyre, asnjëra palë nuk do të integrohet në Bashkimin Europian.

Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në Prishtinë, ku u takua me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Kreu i ekzekutivit bullgar tha se dy vendet duhet të gjejnë një zgjidhje.

“E keni për detyrë të gjeni kompromisin e arsyeshëm që të mund të shkojmë përpara, të gjitha korridoret europiane shërbejnë edhe për juve dhe tërë rajoni do të jetë i ndryshëm. Kryesorja është të mos shohim prapa, por përpara, dhe në muajin maj në Samitin e Sofjes të mund t’u themi udhëheqësve evropian që të gjithë në Ballkan janë të vendosur”

Borissov u bëri thirrje liderëve të Ballkanit t’i lënë mënjanë egoizmat personale, sepse egoja e njërit shtet sipas tij mund të shkaktojë probleme për shtetet tjera, e kjo në një kohë kur Bashkimi Evropian nuk dëshiron që problemet historike dhe gjeografike të transferohen brenda radhëve të veta.

Në muajin maj ne Sofje të Bullgarisë pritet të mbahet takimi i lartë ndërmjet udhëheqësve të vendeve të Bashkimit Europian dhe të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, që synojnë integrimin.

Por, prania e Kosovës në këtë samit ka ngjallur shumë reagime të disa vende që nuk e kanë njohur Kosovën. Kryeministri bullgar tha se ka ftuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi që në 16 dhe 17 maj të jetë i pranishëm në Sofje.

Thaçi nga ana e tij u shpreh se Kosova kërkon jo vetëm vazhdimin e bisedimeve me Serbinë, por t’i shndërrojë ato në negociata të mirëfillta të fqinjësisë së mirë, të pajtimit dhe të paqes ndërmjet Prishtinës e Beogradit, por edhe për rajonin.

SHKARKO APP