Kryeministri Hoti konfirmon takimin me palën serbe në Shtëpinë e Bardhë: Do të bisedojmë si dy shtete të pavarura

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka konfirmuar takimin mes zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë më 2 shtator në Uashington.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Hoti ka thënë se në Shtetet e Bashkuara do të diskutohet me palën serbe, si dy shtete të pavarura.

SHBA ka qenë gjithmonë vendimtare në procesin e shtetndërtimit të Kosovës.

Më 2 shtator takohemi në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar me palën serbe, si dy vende të pavarura, për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit. Kosova është e bekuar me miqtë që ka”, ka deklaruar Hoti.

Ky është takimi dytë që është organizuar nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për këtë dialog, Richard Grenell.

I pari, i planifikuar për 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.

Megjithatë, dialogu mes këtyre dy shteteve ka rinisur më 16 korrik në Bruksel.

Ky proces, që ndërmjetësohet nga pala evropiane, ka nisur më 2011.

Ai ishte bllokuar nga nëntori i vitit 2018, pasi autoritetet e Kosovës patën vënë taksë në mallrat serbe. Rel

SHKARKO APP