Kryeministri Hoti takon Donald Tusk: Kosova i ka përmbushur kriteret për heqjen e vizave
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë qëndrimit të tij në Bruksel është takuar me presidentin e Partive Popullore Europiane (EPP), Donald Tusk.
Në këtë takim bëhet me dije se kryeministri Hoti e ka njoftuar presidentin Tusk për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, dhe në veçanti për menaxhimin e pandemisë dhe rimëkëmbjen ekonomike të vendit, si pasojë e emergjencës shëndetësore.
“Në këtë takim, është biseduar edhe për procesin e liberalizimit të vizave, me ç’rast kryeministri Hoti theksoi nevojën urgjente për përmbylljen sa më të shpejtë të këtij procesi, duke potencuar se Kosova tashmë i ka përmbushur kërkesat e shtruara nga BE-ja për liberalizim të vizave”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Ndër çështjet e diskutuara në takim ishte edhe procesi i dialogut me Serbinë.
“Kryeministri Hoti shprehu gatishmërinë e institucioneve të vendit për vazhdimin e dialogut, duke theksuar se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje finale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e cila do të rezultojë me njohje reciproke”.
Gjithashtu kryeministri Hoti dhe presidenti Tusk kanë biseduar edhe për rolin që ka LDK-ja në të gjitha zhvillimet politike në vend, si parti anëtare e Partive Popullore Europiane