Kryeministri Kurti: Nëse KFOR nuk largon barrikadat në veri të vendit, do t’i largojmë ne!

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti duke komentuar situatën në veri të vendit tha se barrikadat duhet të largohen një orë e më parë nga KFOR, në të kundërt këtë do e bëjnë autoritetet ligjzbatuese të Kosovës.

“Kemi kërkuar nga KFOR-i para Krishtlindjeve. Dhe na vjen shumë keq që KFOR-i po e vonon këtë. Nuk e di pse po ngec dhe pse po e bën. As vetë nuk e di se çfarë bisedash kanë bërë atje. Por e di që kjo nuk mund të zgjasë shumë. Së shpejti do të kemi një takim me KFOR-in për të sqaruar gjithçka. Dhe nëse KFOR-i nuk është në gjendje t’i heqë barrikadat ose, për arsye të panjohura për mua, nuk do ta bëjë këtë, atëherë ne do të duhet ta bëjmë atë. Sepse barrikadat bllokojnë kryesisht serbët në veri. Ato janë shkelje dhe shtypje e rendit tonë kushtetues dhe ligjit dhe rendit tonë. Por në radhë të parë është kundër lirisë së lëvizjes”, u shpreh Kurti gjatë interviste për televizionin boshnjak “O Kanal”.

Kryeministri i Kosovës tha po ashtu se nga autoritetet kosovare largimi i barrikadave është i mundur, megjithëse nuk dihet se çfarë reagimesh do të ketë ndaj policisë së Kosovës.

“Nga ana jonë është e mundur. Por ana tjetër është e panjohur për ne. Njerëzit janë me uniformë. Nuk e di se si do të reagojë secili prej tyre kur të afrohet policia jonë. Unë di një gjë. Ata marrin direktiva nga Beogradi. Dhe ndërsa njerëzit ndryshojnë atje, është e qartë se ajo që është autonome dhe autentike nuk vjen nga vetë qytetarët. E kemi policinë tonë në veri, e cila tani është më prezente se më parë”, është shprehur Kurti.

SHKARKO APP