Kryeministrja serbe, akuza të rënda ndaj Kosovës

Nuk rreshtin akuzat e Serbisë drejtuar Kosovës. Këtë herë është Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq e cila ka akuzuar Prishtinën se është duke bërë të kundërtën e asaj që nevojitet në mënyrë që palët t’i kthehen dialogut.

Bërnabiq ka thënë se pala kosovare me vendimet që merr është duke cënuar stabilitetin e rajonit dhe shpreson se bota do ta kuptojë se kush është konstruktiv, e kush nuk është.

Kryeministrja është pyetur nga gazetarët edhe për taksën e vendosur nga Prishtina e për statusin të kombinatit të “Trepçës”.

Bërnabiq ka thënë se beson se vendimet e marra nga Prishtina deri më tani, do të kthehen si “boomerang” për të.

“Nëse ata llogarisin se kjo paraqet forcim të pozicionit para bisedimeve të ardhshme, mua më duket se qëndron e kundërta. Nuk e di si do të mbështeten tek partneriteti me shtetet anëtare të BE-së rreth liberalizimit të vizave, nëse edhe pas dy muaj e gjysmë përgjigjen me jo ndaj kërkesave të tyre. Si mund të llogarisin në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëse Trump u ka kërkuar të tërheqin vendimin për taksë, e ata sjellin të reja”, tha ajo për mediat serbe.

SHKARKO APP