Kryeministrja serbe: Si Haradinaj ashtu dhe Kurti, njësoj për Serbinë

Kryministrja e re e Serbisë, Ana Brnabiq në një intervistë për gazetën serbe Blic ka folur edhe për situatën politike në Kosovë.

E pyetur se cili do të ishte kryeministër më i mirë për Serbinë, Haradinaj apo Kurti, ajo tha se të gjithë janë të njejtë, dhe se janë të gatshëm të bisedojnë me secilin që përfaqëson Kosovën.

“Kurti apo Haradinaj? Kosova është pjesë e Serbisë, dhe si partnerë të përgjegjshëm ne do të flasim me të gjithë që e përfaqësojnë palën tjetër”, tha kryeministrja serbe.

Ajo foli edhe për dialogun në Bruksel, ku tha se është e gatshme të marrë pjesë në negociata me Prishtinën.

“Në qoftë se ka nevojë që unë të shkojë në Bruksel, do ta bëj. Kjo është pjesë e punë sime. Por, sipas BE-së do të ishte më mirë për ta zhvilluar dialogun në nivel presidencial. Thaçi dhe Vuçiq deri më tani kanë marrë pjesë në dialog, dhe mendoj se kjo do të ishte zgjedhja e duhur”, shtoi Ana Brnabiç.

Kryeministrja serbe ditë më parë kishte deklaruar se qëndrimi i saj ndaj Kosovës do të vazhdojë të mbetet i njëjti, sikur ka qenë gjithmonë i udhëheqësve serb.

SHKARKO APP