Kufijtë, Thaçi për skeptikët e paqes Kosovë – Serbi: Nuk do të ketë efekt domino

Presidenti Thaçi ka vijuar komunikimin e tij të përditshëm në FB, me statuse të rregullta, duke promovuar politikën e tij për të ardhmen e raporteve Kosovë – Serbi.

Në të radhës, ai u është drejtuar atyre që i quan skeptikë për paqen mes dy vendeve.

“Çuditërisht, edhe sot kur Kosova e ka të hapur mundësinë për të arritur marrëveshje paqësore me Serbinë, rrufeshëm dhe nga shumë drejtime, ngritën shqetësime të paqëndrueshme. Skeptikët, sot përsëri janë bërë bashkë për të kundërshtuar opsionin real të korrigjimit paqësor të kufirit me Serbinë. Me lehtësi përhapin frikë për gjoja destabilizim të rajonit dhe thellim të ndarjes etnike në Ballkan. Krijojnë panik dhe mjegull duke i trilluar të njëjtat argumente, njësoj sikurse në prag të shpalljes së pavarësisë.

Unë kam konsideratë të lartë për të gjithë ata që në mënyrë racionale janë të përfshirë dhe të përkushtuar për arritjen e marrëveshjes paqësore me Serbinë. Ndërsa, ata që po kundërshtojnë duke prodhuar vetëm frikë, me keqardhje u them se janë të gabuar.

Marrëveshja paqësore e bazuar në korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në rast se arrihet, do të jetë krejtësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Një marrëveshje e tillë, Kosovës i siguron njohjen formale nga Serbia dhe bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, si dhe i hapë rrugë të sigurt për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB. Marrëveshja paqësore e forcon stabilitetin duke mbyllur vatrën e fundit të konfliktit në Ballkan.

Prandaj, skeptikët e kësaj marrëveshjeje mund t’i siguroj që tani se nuk do të ketë korrigjim të kufirit përgjatë vijave etnike, nuk do të ketë eksod të popullsisë dhe as efekt domino. Për më tepër, kjo marrëveshje paqësore do të vendosë një gur të rëndë mbi të ashtuquajturën ‘Kuti e Pandorës’, e cila këto ditë po përfolët me shumë pasion. E nëse dikush patjetër argumenton dhe i referohet një marrëveshjeje eventuale të korrigjimit paqësor të kufirit si precedent, atëherë ky rast vërtet do të mund të përdoret në të ardhmen si një precedent pozitiv i domosdoshëm për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërshtetërore vetëm në mënyrë paqësore dhe jo me luftë”, shkroi Thaçi.

SHKARKO APP