Kur duhet t’i shpallë zgjedhjet Presidentja nëse bllokada vazhdon?

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka vetëm edhe dy javë kohë për t’i shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, nëse ato mbesin si rrugë e vetme për zgjidhjen e bllokadës politike.

Edhe pse Kosova nuk rrezikohet nga kriza financiare deri më 1 shkurt të viti te ardhshëm, Presidentja Jahjaga duhet të paktën tre muaj para kësaj krize t’i shpallë datën e zgjedhjeve nacionale.

Deri më tash, bllokada ka përfshirë disa borde të ndërmarrjeve publike, ku duhet të votohen në Kuvend anëtarët e rinj. Këto borde me mandat të skaduar nuk mund të marrin asnjë vendim të rëndësishëm për kompaninë. Bordet me afat të skaduar janë Agjencioni Kosovar i Privatizimit, Hekurudhat e Kosovës etj.

Mirëpo, Presidentja duhet t’i shpallë zgjedhjet një muaj më herët, pasi kështu parashihet me Kushtetutë. Dhe, zgjedhjet nuk guxojnë të shtyhen më shumë se në gjysmën e dhjetorit, që i bien se zgjedhjet duhet të shpallen më së largu më 15 dhjetor  të këtij viti e vendimi të merret më së largu më 15 nëntor. Pra, kanë mbetur edhe dy javë për konsulta dhe marrëveshje mes bllokut dhe PDK’së pata se Presidentja të dekretoi datën e zgjedhjeve.

Sidoqoftë, nëse Presidentja i shpall zgjedhjet më 15 dhjetor atëherë certifikimi i rezultateve do të bëhej më së largu më 15 janar, shkruan Gazeta Express.

Rrjedhimisht, Kuvendi mund të konstituohet në muajin e parë të vitit të ardhshëm.

Prej momentit kur të konstituohet Kuvendi, Presidentja pastaj mund të nisë procedurat për emërimin e mandatarit të Qeverisë, i cili pastaj i ka 15 ditë për formimin e Qeverisë dhe nëse dështon i pari atëherë mandatari i dytë i ka edhe dhjetë ditë tjera deri te votimi i Ekzekutivit të ri.

Në gjysmën e janarit të vitit të ardhshëm mund të votohet Qeveria dhe menjëherë pas këtij vendimi edhe të miratohet buxheti i shtetit për të mos pasur bllokadë financiare.

Sidoqoftë, LDK, AAK, NISMA kanë dalë kundër zgjedhjeve të reja me arsyetimin se shumica e ka të drejtën për të formuar institucionet pavarësisht se çka shkruan në Kushtetutë. Ndërsa, PDK e ka përkrahur opsionin e zgjedhjeve si mundësi të fundit për të nxjerrë vendin nga kriza.

Në këtë situatë, Vetëvendosje nuk ka pasur një qëndrim të qartë rreth zgjedhjeve.

Analisti Shkëlzen Maliqi thotë se zgjedhjet duhet të shpallen për të tejkaluar krejt këtë situatë bllokuese ku palët nuk po mund të merren vesh për të formuar institucionet e reja.

“Mbase do të jetë më mirë që Presidentja ta presë këtë nyje të Gordit, duke i shpallur zgjedhjet, ku me gjasë do të mund të ketë një konfiguracion të ri forcave, pjesërisht ndëshkues dhe pjesërisht më pak bllokues seç e kemi tani”, ka shkruar Maliqi në editorialin e radhës për gazetën Express.

Zgjedhjet e përgjithshme nacionale janë mbajtur më 8 qershor të këtij viti. Prej asaj kohe kanë kaluar pesë muaj dhe Kosova funksionon pa Parlament dhe me Qeveri në largim. Pas certifikimit të zgjedhjeve, LDK, AAK dhe NISMA kanë zgjedhur në mënyrë antikushtetuese Isa Mustafën Kryeparlamentar, ndërsa, PDK nuk po mund t’i sigurojë votat në Kuvend për të votuar Kryetarin e Parlamentit.

Për dallim prej bllokadave tjera të pasluftës, tash, ndërkombëtarët nuk janë përfshirë në zgjidhjen e kësaj bllokade. Por, amerikanët vetëm iu kanë bërë thirrje liderëve të bëjnë sakrifica personale për t’i formuar sa më shpejt institucionet e shtetit.

(Expres)

SHKARKO APP